Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka treguar se komuna ka urdhëruar dezinfektimin e disa hapësirave të mëdha që mund të shërbejnë për shtrirje të pacientëve në rast të mbipopullimit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës
Ahmeti ka shkruar në Facebook se Komuna e Prishtinës këtë e ka bërë me vetiniciativë.
“Javën e kaluar si Komunë kemi urdhëruar dezinfektimin e disa hapësirave të mëdha që mund të shërbejnë për shtrirje të pacientëve në rast të mbipopullimit të QKUK. Këtë e kemi bërë me vetëiniciativë duke mos dashur të presim nivelin qendror për kërkesë të tillë duke ditur ngarkesën. Në dispozicion i kemi edhe rreth 60 krevate që mund të vihen në përdorim”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Ahmeti i ka bërë thirrje qeverisë që të gjejë më shumë hapësira për të prekurit eventual nga virusi Covid-19.
“I bëjmë thirrje nivelit qendror që të formulojë strategji kontingjente (pra, në rast se ndodhë kjo, atëherë) për shfrytëzimin e hapësirave tjera në Republiken e Kosovës për hospitalizim. E ne shpresojmë që kurrë mos të kemi nevojë me u përdorë ato”, ka shkruar Ahmeti.