Çfarë do të thotë të jesh një CEO në vitet 2020? Rregullat e menaxhimit po ndryshojnë. Shefat duhet të përshtaten
Në teori, kjo është një epokë e artë për shefat. Drejtuesit ekzekutivë kanë pushtet të gjerë. 500 personat që drejtojnë kompanitë më të mëdha në Amerikë kryesojnë në tërësi një staf prej më shumë se 26 milionë njerëzish, shkruan The Economist. Fitimet janë të larta dhe ekonomia po përparon.
Të ardhurat janë fantastike: mesatarisht, një nga këta persona fut në xhep 13 milionë dollarë në vit. Sundar Pichai i kompanisë “Alphabet” sapo lidhi një marrëveshje me vlerë 246 milionë dollarë deri në vitin 2023. Rreziqet janë të tolerueshme: shanset për t’u pushuar ose tërhequr në një vit, janë rreth 10%. Shpesh drejtuesit ekzekutivë ia hedhin edhe me një performancë të tmerrshme.
Në prill, Ginni Rometty do të largohet nga IBM-ja pas tetë vjetësh, përgjatë të cilave aksionet e “Big Blue” e kanë zvarritur tregun e bursave me 202%. Adam Neumann e teproi me jahtet private dhe humbi 4 miliardë dollarë para se të pushohej nga “WeWork” vitin e kaluar. I vetmi disavantazh duket se janë ato takimet e bezdisshme të punës, që hanë dy të tretat e kohës së punës së shefave.
E megjithatë, drejtuesit ekzekutivë thonë se puna është bërë më e vështirë. Shumica tregojnë me gisht “trazirat”, ideja se konkurrenca është bërë më intensive. Por këtë e kanë thënë për vite me radhë. Në fakt, provat dëshmojnë se, teksa ekonomia e Amerikës është bërë më sklerotike, kompanitë e mëdha kanë qenë në gjendje të prodhojnë fitime më të mëdha për një kohë më të gjatë.
Megjithatë, shefat kanë të drejtë kur thonë se diçka ka ndryshuar. Natyra e punës po çrregullohet. Në veçanti, po dështon mekanizmi i CEO-ve për të ushtruar kontroll mbi ndërmarrjet e tyre të gjera dhe çështja se ku dhe pse firmat operojnë është e pasigurt. Kjo ka implikime të mëdha për biznesin dhe për çdokënd që ngjit shkallët e korporatave.
Menaxhimi është një nga ato tema që tërheqin analiza të shumta. Gjithsesi, studimet tregojnë se cilësia e udhëheqjes së një firme amerikane, ndikon vetëm në 15% të fitimit. Por bordet dhe kërkuesit përpiqen pa fund të gjejnë dikë që do të kryejë një punë të mirë. Ndoshta si rezultat, janë të prirur të marrin vendime konservatore. Rreth 80% e drejtuesve ekzekutivë vijnë nga brenda kompanisë dhe mbi gjysma janë inxhinierë ose kanë mbaruar për administrim biznesi. Shumica janë të bardhë dhe burra, megjithëse kjo dukuri po ndryshon ngadalë.
Kjo elitë e ngushtë po përballet me ndryshime të mëdha, duke filluar që nga mënyra si i kontrollojnë firmat e tyre. Qëkur Alfred Sloan revolucionarizoi “General Motors” në vitet 1920, mjeti kryesor që kanë përdorur drejtuesit ekzekutivë është kontrolli i investimit fizik, një proces i njohur si mbledhje kapitali. Kompania dhe drejtuesi ekzekutivë kanë pasur një juridiksion të qartë mbi asetet, stafin, produktet dhe informacionet pronësore.
Një shembull i tillë është “Neutroni” Jack Welch, i cili udhëhoqi “General Electric” midis viteve 1981 dhe 2001, duke hapur e mbyllur fabrika, duke shitur e blerë divizione dhe duke kontrolluar ashpër rrjedhën e kapitalit.
Megjithatë sot, 32% e kompanive në S&P 500 të firmave të mëdha amerikane, investojnë më shumë në asete jomateriale sesa fizike, dhe 61% e vlerës së tregut të S&P 500, qëndron në asete jomateriale si punë kërkimore dhe zhvillimore (r&d), konsumatorë të lidhur nga efektet e rrjetit, marka dhe të dhëna. Lidhja midis autorizimit të CEO-ve për investim dhe arritjes së rezultateve është e paparashikueshme.
Ndërkohë, po zbehen kufijtë e kompanisë dhe autoriteti i drejtuesve ekzekutivë. Katër milionë shoferët e Uber-it nuk janë punonjës dhe as miliona punëtorët në zinxhirin e furnizimit të Apple-it, por kanë një rëndësi kritike në mision. Vjet, kompanitë e mëdha shpenzuan 32 miliardë dollarë në shërbime cloud nga disa shitës të fuqishëm. Fabrikat dhe zyrat kanë me miliarda sensorë që përcjellin informacion të ndjeshëm për furnizuesit dhe klientët. Ndërkohë, menaxherët flasin për biznes nëpër mediat sociale.
Teksa po ripërcaktohet autoriteti i drejtuesve ekzekutivë, po ndodhin ndryshime përsa i përket edhe vendit të operimit të kompanive. Përgjatë viteve, shefat i janë bindur thirrjes “go global”. Por në dekadën e fundit, niveli i fitimit të kompanive ndërkombëtare jashtë është ulur, kështu që kthimet në kapital janë vetëm 7%. Tensionet në tregti i kanë detyruar drejtuesit ekzekutivë të përballen me idenë e shpërnguljes së aktivitetit ose rimodelimin e zinxhirëve të furnizimit. Shumica vetëm sa kanë filluar të përballlen me këtë dukuri.
Ndryshimi i fundit ka të bëjë me qëllimin e kompanisë. Ideja e pranuar gjerësisht ka qenë se kompanitë punojnë në interes të pronarëve të tyre. Por presioni nga radhët politike po rritet, me politikanë si Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren që u bëjnë thirrje drejtuesve ekzekutivë të favorizojnë më tepër stafin, furnizuesit dhe klientët e tyre; ndërkohë, klientët dhe punëtorët e rinj në moshë kërkojnë që kompanitë të sensibilizohen për çështje sociale. Kompania “Alphabet” është përballur me protesta të shumta nga stafi.
Drejtuesit ekzekutivë po eksperimentojnë, pa rezultate të mira. Reed Hastings i kompanisë “Netflix” përkrah autonominë radikale, pra që është stafi ai që përcakton shpenzimet e veta dhe e kryen punën pa rishikime të performancës, një ide e cila në shumicën e firmave do shkaktonte kaos. Të tjerët përkrahin autoritetin duke ringjallur kultin e viteve 1980. Kjo ndonjëherë funksionon: Satya Nadella e ka rindërtuar “Microsoft”-in duke përdorur “udhëheqjen empatike”. Shpesh nuk funksionon.
Periudha e z. Neumann në “WeWork”, kur ai mori namin si shefi që i pëlqen të festojë si i çmendur, përfundoi me një fiasko. Jeff Immelt, ish-kreu i “General Electric”, është akuzuar për “teatër suksesi”, duke ruajtur një panoramë suksesi teksa fitimet e kompanisë ranë me 36%.
Duke nxituar që të tregojnë se janë të përfshirë në çështjet sociale, drejtues të ndryshëm shprehin publikisht qëndrimin e tyre për tema si aborti apo kontrolli i armëve. Rreziku i kësaj është hipokrizia. Shefi i “Goldman Sachs” dëshiron të “përshpejtojë përparimin ekonomik për të gjithë”, por ndërkohë po përballet me një gjobë të madhe për rolin e tij në skandalin e korrupsionit 1MDB në Malajzi.
Në gusht, 181 drejtues ekzekutivë amerikanë u zotuan për t’i shërbyer stafit, furnizuesve, komuniteteve, klientëve si dhe aksionerëve. Ky është një premtim që e kanë bërë gjatë një zgjerimi ekonomik të kompanisë dhe nuk mund ta mbajnë. Në një ekonomi dinamike, disa firma duhet të tkurren dhe të shkarkojnë punëtorë. Është naive të mendosh se nuk ka një barazpeshë. Rroga më të larta dhe më shumë para për furnizuesit do të thotë fitime më të ulëta dhe çmime më të larta për konsumatorët.
Modeli i një drejtuesi ekzekutiv modern
Atëherë, çfarë është e nevojshme për të qenë një udhëheqës korporate në vitet 2020? Çdo kompani është e ndryshme, por ata persona që punësojnë një drejtues ekzekutiv, ose që dëshirojnë të bëhen vetë drejtues, duhet të shfaqin disa cilësi. Është thelbësore të njohësh me themel lojën e ndërlikuar, krijuese dhe bashkëpunuese të mbledhjes së kapitalit jomaterial.
Një CEO duhet të jetë në gjendje të rendisë të dhënat që kalojnë ndërmjet kompanive dhe homologëve të tyre, duke rishpërndarë ato që përbëjnë fitime dhe ato që përbëjnë rrezik. Disa kompani kanë përparuar në këtë drejtim — “Amazon” po monitoron 500 qëllime të matshme — por shumica e drejtuesve ekzekutivë kanë ngecur në vend, duke fshirë emaile nga inbox-i në mes të natës. Së fundmi, shefat duhet ta kenë të qartë se firmat duhen drejtuar në shërbim të interesit afatgjatë të pronarëve.
Kjo nuk do të thotë se duhet të tregohen të ngurtë ose dritëshkurtër. Për shembull, çdo biznes i matur duhet të përballet me rreziqet e ngrohjes globale. Gjithashtu, sytë duhen mbajtur tek ojektivi. Drejtuesit ekzekutivë në vitet 2020, do të jenë tepër të zënë me problemet e kompanive të tyre, kështu që nuk duhet të merren edhe me drejtimin e botës. Dhe nëse gjeni kohë të pini hashash midis takimeve të punës për të larguar stresin, sigurohuni që të mos kapeni mat./Monitor.al/