Presidenti Hashim Thaçi, në një konferencë për media ditën e sotme, tha se BE-ja duhet fillimisht të marrë vendim për heqjen e vizave, e pastaj të mendojë nëse ka aftësi e potencial për t’u marrë me dialogun.
“BE-ja duhet të marrë vendim për liberalizim, e pastaj të mendojë se mund të marrë ndonjë rol në negociatat me Serbinë. Të shohin se a kanë aftësi e potencial për të organizuar diçka për dialogun Kosovë-Serbi. Por, nëse ata kërkojnë dialog, dhe Kosovën e mbajnë të izoluar, përgjigja ime është negative për ta. Fillimisht vizat, pastaj të mendojnë për hapin tjetër”, u shpreh Thaçi.
Ai tha po ashtu se nuk beson se do të ketë krizë të brendshme politike për të çuar tutje procesin e liberalizimit të vizave, siç ka ndodhur në të kaluarën.