Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka një periudhë kohore që ka filluar kritikat e hapura ndaj Bashkimit Evropian rreth çështjes së dialogut me Serbinë dhe për liberalizimin e vizave. Thaçi vazhdimisht është duke kritikuar BE-në për izolimin e Kosovës pa viza, ndërkohë potenconte që Prishtina zyrtare nuk duhet të mbetet me adresë kah Brukseli, pasi, sipas tij, do të mbetet e izoluar për dekada.
Këto kritika të hapura dhe publike të presidentit për Bashkimin Evropian vijnë pas afrimit të këtij të fundit me Washingtonin sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.
Kreu i shtetit nuk ka kursyer sot as dy emisarët franko-gjerman të cilët në vizitën e tyre në Prishtinë po prezantonin kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, raporton Gazeta Express.
Thaçi përmes një reagimi në Twitter pas takimit ka thënë se është i zhgënjyer me bisedën që ka pasur me dy të dërguarit e Parisit dhe Berlinit. Sipas tij ata s’kanë sjellë asgjë të re për liberalizimin e vizave dhe asnjë ide të re për dialog.
“Premtime boshe”, ka shkruar Thaçi.
“I dëshpëruar. Asgjë e re nga takimi me të dërguarit. Asgjë për liberalizimin e vizave, asnjë ide e re për dialogun, nuk ka inkurajim për perspektivën Evropiane. Premtime boshe”, ka reaguar Thaçi pas takimit me gjermanin Jan Hecker dhe francezin Emmanuel Bonne.
Për këtë qasje të presidentit karshi BE-së, ka folur sot ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, Sipas tij, deklarime të tilla të presidentit i bëjnë dëm Kosovës.