Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat kundër përhapjes së koronavirusit në të gjithë vendin, ka nisur menjëherë zbatimi i tyre nga ana e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për aplikimin e 11 masave mbrojtëse ndaj koronavirusit, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli pandemi.
Qeveria vendosi të ndalojë “eksportin e pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve përveç me vendim të qeverisë.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv Kapllan Parduzi bashkë me stafin e tij, ka nisur menjëherë zbatimin e masave kundër përhapjes së koronavirusit në KRU ‘Prishtina’, si dezinfektim në të gjitha objektet e KRU “Prishtina” dhe mjeteve transportuese të punës.
“Ne kemi obliguar në të njëjtën kohë edhe laboratorin e akredituar të kompanisë që të merren me sigurimin e klorit për ujin e pijshëm dhe kimikateve të tjera në funksionim të mirëfilltë të trajtimit të ujit në tre fabrikat trajtuese dhe po ashtu të monitorojnë vazhdimisht cilësinë e ujit të pijshëm. Po ashtu, maska të mjaftueshme për punëtorë, pajisje higjienike për objektet prodhuese dhe administrative”, thuhet në njoftim.
KRU “Prishtina” ka obliguar shërbimin e burimeve njerëzore që në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës të lirojë njërin prind nga puna, deri më datë 27 mars, në mënyrë të përkujdesjes për fëmijët deri në moshën 10 vjeçare, pas ndërprerjes së mësimit në të gjitha nivelet/KsP.