Minatorët e Kombinatit metalurgjik “Trepça”, edhe sot janë duke e vazhduar grevën, për shkak se ende nuk i kanë marrë pagat e plota për muajt janar dhe shkurt.
Me gjithë premtimet e ministres së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Investimeve strategjike, Ndërmarrsisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ata kanë vendosur që mos t’ia fillojnë punës në Minierën e Stantërgut në prodhim. Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Epoka e re”, Gani Osmani nga Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.
Ai ka thënë se përfaqësuesi i tyre dhe bordi i ri mbikëqyrës kanë marrë premtime nga ministrja Hajdari se sot do t’i marrin pagat, porse sipas tij derisa t’i marrin pagat e plota nuk do t’ia fillojnë punës.
“Mbrëmë ka qenë përfaqësuesi i sindikatës dhe bordi i ri në takim me ministren Hajdari dhe na kanë thënë që sot do t’i marrim pagat, porse pa e marr pagën e plotë dhe njoftimin nga banka se kanë dal mjete, ne s’mund ta fillojmë punën”, ka thënë Osmani.