Vendimi i Qeverisë së kaluar, që sipas pretendimeve të konsorciumit “Bechtel-Enka” ka peshë rreth 50 milionë euro për tri kyçjet në autostradën “Arbën Xhaferi”, është anuluar në mbledhjen e së premtes të Qeverisë.
Por vendimi i Qeverisë së kaluar, megjithatë, mund t’ia ketë humbur buxhetit të Kosovës rreth 6 milionë euro.
Propozimi për anulimin e këtij vendimi është bërë nga ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, raporton Koha.
Ai ka prezantuar dy opsione se si mund të veprohet me këtë vendim. Ka thënë se mund të nënshkruhet kontrata ose të anulohet vendimi.
Personalisht ka anuar për anulim të vendimit të marrë nga Qeveria Haradinaj.
Kryeministri Kurti ka thënë se pajtohet me mendimin personal të Abdixhikut dhe ka autorizuar Ministrinë e Infrastrukturës ta kalkulojë dëmin eventual.
KOHA ka raportuar në fillim të kësaj jave për këtë vendim të Qeverisë së kaluar që ia ka hapur rrugën këtij konsorciumi që të kërkojë edhe 50 milionë euro për projektin e Autostradës.
Punët sipas marrëveshjes së negociuar mes MI-së dhe “Bechtel-Enka-s” kapin vlerën e 28 milionë eurove.
Afati i paraparë ishte 18 muaj dhe për çdo muaj që ky konsercium do të qëndronte në Kosovë do t’i paguheshin 1.18 milionë euro.
Siç ka mësuar KOHA, pavarësisht që Qeveria ka anuluar vendimin për kyçjet, ky konsercium do t’i marrë sërish rreth 6 milionë euro.
Ndërtimi i autostradës “Arbën Xhaferi” ka filluar para 6 vjetëve. Atë kohë kryeministër ishte Hashim Thaçi.
Fillimisht ishte thënë që kjo autostradë do të kushtojë rreth 600 milionë euro, por në vitin 2017 ishte rritur vlera për dhjetëra miliona të tjerë për këtë projekt.