Vitia tregon se janë porositur 50 respiratorë, të parët vijnë në prill

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në konferencën e përbashkët me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, tregoi për veprimet që janë bërë dhe që do të bëhen, ndërkohë ftoi qytetarët të respektojnë masat e marra nga Qeveria për mbrojtje nga koronavirusi.

Sipas tij, kujdesi dhe izolimi janë masat më të mira, meqë bëhet fjalë për një armik të padukshëm, siç është virusi Covid-19.

Vitia ka thënë se gjithsej në Kosovë janë 142 respiratorë, të domosdoshëm për fazat e vonshme të pacientëve të prekur me këtë virus, 95 në sektorin publik dhe 47 në atë privat. Tha se tashmë janë porositur respiratorët shtesë.

Reklama e sponzorizuar

“Kemi porositur 50 respiratorë të rinj, plus një kontigjent tjetër që do të vijë më vonë. Një pjesë e porosisë së bërë do të vijë në prill e një në maj”, ka thënë Vitia.

Ai ka treguar se Kosova dhe qytetarët e saj kanë dy shembuj para vetës në lidhje me këtë virus, që ka shkaktuar vdekjen e rreth 12 mijë personave në gjithë botën. Një shembull është disiplina e tjetri neglizhenca.

“Është momenti i fundit të kuptojmë se kjo situatë është serioze, 2-3 javët e ardhshme janë vendimtare në luftën tonë. Para vetes kemi dy shembuj: disiplinën dhe neglizhencën. Vendet që kanë neglizhuar seriozitetin e kësaj sëmundje, pavarësisht sistemeve të mira shëndetësore, situata ka dal nga kontrolli. Është momenti i fundit të bëhemi bashkë. Arma e vetme është kujdesi, të rrini në shtëpi”, ka thënë ministri Vitia.

Në Kosovë deri më tash janë regjistruar 24 raste me Covid-19.

Ndërkohë, Vitia ka bërë të ditur se ka biseduar edhe me Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë, e cila ka ofruar mbështetjen e BE-së për përballjen me koronavirusin.

“Dje kam pasur një bisedë me Apostolovën dhe na ka siguruar se në këtë betejë nuk jemi vetëm dhe do të mundohet që të na ndihmojë dhe të qëndrojë afër nesh në këtë situatë”, ka thënë Vitia.