“Zhduket” vendimi për Badovcin, Ministria e dërgoi, Komuna nuk e ka

Më 20 dhjetor të vitit 2019, Komuna e Prishtinës i ka dhënë kushtet ndërtimore investitorit i cili ka pretenduar të ndërtojë një lagje të re banimi në afërsi të Liqenit të Badovcit. Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se dikasteri i tij e obligon Komunën e Prishtinës t’i anulojë këto kushte ndërtimore. Por, këto dy institucione po bien ndesh me njëra-tjetrën. Komuna po thotë se nuk e ka pranuar shkresën zyrtare, e ministria po thotë se e ka dërguar atë pikërisht në datën e nënshkrimit. E pronari i tokës ku do të ndërtohej lagja e re, po paralajmëron padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, nëse i anulohen kushtet e ndërtimit

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se KP’ja nuk e ka pranuar ende zyrtarisht vendimin e cili e obligon t’i anulojë kushtet ndërtimore.

“Komuna e Prishtinës ende nuk e ka pranuar zyrtarisht këtë vendim. Pas pranimit dhe shqyrtimit, do të merret vendimi meritor konform dispozitave ligjore në fuqi”, ka thënë Mullafazliu.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq, zyrtarja për informim në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, Fillojetë Konjuhi, ka thënë se lënda është pranuar nga arkiva e Komunës së Prishtinës më datë 21 shkurt.

“Vendimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, Izedin Bytyqi, për obligim të komunës së Prishtinës për anulimin e vendimit nr. 05NR.350/02-0222986/17 të datës 20.12.2019 për Kushtet Ndërtimore për rastin e kërkesës së ndërtimit të lagjes në afërsi të Badovcit, është përcjellë në datën e nënshkrimit, me 21 Shkurt 2020. Lënda me numër protokolli 1621/20 është pranuar nga arkiva e Komunës së Prishtinës po në këtë datë”, ka thënë Konjuhi.

E vendimi për anulimin e kushteve ndërtimore, nuk ka rënë ende as në dorën e  pronarit të tokës ku do të ndërtohej lagja e planifikuar.

Rahman Haradini ka thënë për Gazetën Express se nëse do të anulohet projekti i planifikuar, ai do të ankohet edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

“Deri sot nuk kemi marrë asgjë me shkrim për anulim unë dje jam kthyer jam në Zvicër. Por, nuk mundet me të mbajtë me procedura me vite me t’i dhënë kushtet edhe kur t’i jep për një grup njerëz me t’i refuzua. Nuk ka logjikë, krejt çka mendoj unë kanë mundur me ardhë me përcjell projektin, a po bëhet sipas kushteve të dhëna nga komuna po është shkelje e ligjit. Në qoftë se merret vendim për anulim, nëse ndodh unë do të vazhdoj me gjykatë ndërkombëtare. Me siguri do te jetë miliona euro, nuk e kemi bërë ende llogarinë e dëmit”, ka thënë Haradini.

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumur Abdixhiku, përmes një njoftimi në Facebook, më 22 shkurt ka njoftuar se dikasteri që e udhëheq ai ka obliguar Komunën e Prishtinës që të bëjë anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore për rastin e ndërtimit të lagjes në afërsi të Liqenit të Badovcit.

Ndërkohë në seancën e jashtëzakonshme të Komunës së Prishtinës të mbajtur më 21 janar, ishin aprovuar dy rekomandime për ndërtimet në afërsi të Liqenit të Badovcit.

Rekomandimi i parë është që Komuna e Prishtinës të anulojë kushtet ndërtimore të lëshuara në fund të vitit të kaluar.

Ndërkaq rekomandimi i dytë që të fillohen proceduarat që zonën për rreth Liqenit të Badovcit, e cila nuk është e përfshirë në peisazh të mbrojtur, të bashkohet me peizazhin e mbrojtur në parkun regjional të Germisë.

Këto rekomandime u votuan nga asamblistët, megjithëse u tha se janë në kundërshtim me ligjet në fuqi

Kujtojmë se projekti ndërtimor “Lakeside Gardens” i cili parasheh të ketë 17 shtëpi, i cili u publikua nëpër rrjetet sociale nga kompania Kawa Group dhe 4M Group, ka ngjallur reagime të shumta në vend.

Në postimin e bërë më 8 janar, këto dy kompani kanë njoftuar se te Liqeni i Badovcit do të ndërtohet një lagje e re banimi, e kjo ka mjaftuar që të reagojnë qytetarët, por edhe institucionet.

Liqeni i Badovcit është shpallur zonë e mbrojtur në mbledhjen e 24 prillit të vitit 2013 të qeverisë së atëhershme.

Kjo do të thotë se në zonat e mbrojtura me Ligj, ndalohet ndërtimi për çështje rekreacioni apo çfarëdo arsye tjetër.