15 shoqata nga diaspora i shkruajnë letër Merkelit për gjendjen politike mes pandemisë në Kosovë

Pesëmbëdhjetë shoqata nga diaspora, i janë drejtuar me një letër kancelares gjermane Angela Merkel për gjendjen aktuale politike në Kosovë, mes pandemisë me Covid-19.

Ato apelojnë për një përmirësim të situatës, siç thonë në letër, të tendosur dhe gjithashtu kërkojnë mbështetje nga kancelarja Merkel.

Shoqatat u përkasin fushave të ndryshme si politike, ekonomike, shoqërore e kulturore.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë letër të siguruar nga KOHA, këto shoqata i shkruajnë Merkelit se përveç me Covid-19, Kosova fatkeqësisht po përballet edhe me mosmarrëveshje politike që sipas tyre janë bërë tema të ditës.

“Ndërkohë që Qeveria në detyrë është duke vepruar në ngadalësimin e shpërthimit të pandemisë, gjë të cilën e tregoi duke vepruar në ngadalësimin e shpërthimit të pandemisë, gjë të cilën e tregoi duke vepruar herët dhe rreptësisht, duke ndjekur të gjitha udhëzimet e OBSH-së, nga ana tjetër pjesë të elitës politike janë bërë së bashku për të shprehur dyshimet e tyre për qeverinë”, thuhet ndër tjera.

Sipas këtyre shoqatave në letrën dërguar Merkelit, thonë se “druhen se zanafilla e kësaj mosmarrëveshjeje është diskutimi midis Presidentit të Kosovës dhe Serbisë për një zgjidhje me bazë etnike, duke bërë shkëmbim tokash midis Kosovës dhe Serbisë”.

“Si qytetarë gjermanë me origjinë kosovare, ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar. Prandaj ju bëjmë thirrje: Bashkimi Evropian duhet të veprojë edhe një herë në mënyrë aktive në Ballkanin Perëndimor dhe të mbështesë ato forca politike në Kosovë, të cilat ruajnë dhe mbrojnë parimet tona demokratike, por gjithashtu sigurojnë stabilitet afatgjatë dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajon. Negociatat duhet të menaxhohen nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bisedime të tilla duhet të zhvillohen nga forca demokratike të ligjshme, që pasqyrojnë vullnetin e votuesve”, thuhet në letrën e tyre.

1 / 6PrevNext

Tutje, kanë theksuar disa parime që sipas tyre në Kosovë duhet respektuar.

1. Gjatë dialogut, deri sa të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, Gjermania, si pjesë e trojkës dhe, veçanërisht me presidencën e Këshillit, së bashku me Shtetet e Bashkuara, duhet t’i kërkojë Serbisë që të përfundojë fushatën kundër shtetit të Kosovës. Kjo kërkesë do të mundësojë përparimin e dialogut.

2. Për më tepër, të dyja palët e përfshira duhet të njohin kufirin ekzistues midis Kosovës dhe Serbisë. Ndryshimet e kufijve të çdo lloji, të çojnë në mënyrë të pashmangshme në paqëndrueshmëri në rajon dhe nuk krijojnë një zgjidhje të përhershme, paqësore të mosmarrëveshjeve. Zhvendosjet e kufijve përgjatë vijave etnike do të kishin pasoja të paparashikueshme në Evropën Juglindore. Një zgjidhje e tillë mund të shërbejë si një precedent për aktorët e tjerë dhe të rrezikojë më tej stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

3. Bisedimet nuk duhet të çojnë në krijimin e një statusi të ri etnik ose ekstraterritorial brenda Kosovës. Shembulli i Bosnje-Hercegovinës na tregon se si një marrëveshje paqeje, pa marrë parasysh veçoritë dhe të veçantat lokale, do të thotë që njësitë etnike të krijuara bllokojnë pajtimin dhe të ardhmen e njëra-tjetrës.

4. Lufta e zhvilluar nga policia dhe ushtria serbe rezultoi me 13,000 vdekje. Pjesa dërrmuese e tyre ishin civilë. Mbi një milion njerëz janë shpërngulur dhe 20,000 gra u bënë viktima të dhunimeve seksuale . Njësitë ushtarake vendosën në shënjestër fshatrat, rrethet e tëra, shkollat, si dhe objektet fetare e spitalet, në të cilat hodhën zjarr dhe i dogjën ato. Deri më sot rezultojnë 1500 persona të zhdukur. Deri më sot, Serbia ka refuzuar të kërkojë një falje zyrtare dhe të marrë përgjegjësi për krimet e luftës. Për ta mundësuar pajtimin, Serbia duhet të kërkojë falje tek viktimat e luftës dhe tek të afërmit e tyre dhe gjithashtu ti dëmshpërblejë ato. Ata që kanë qenë të përfshirë në krimet e luftës duhet të japin përgjegjësi duke dalë përpara drejtësisë.

5. Rezultat i këtyre negociatave duhet të jetë njohja shtetërore e Kosovës nga Serbia. Vetëm në këtë mënyrë bëhet i mundur sigurimi i stabilitetit dhe mundësohet perspektiva e ardhshme për të dy vendet në rrugën e tyre drejt BE-së.

“Shpresojmë të kemi treguar, që edhe ne kosovarët të cilët jetojmë në Gjermani dhe gjermanët me një histori migracioni kosovare, jemi të interesuar për një Kosovë demokratike dhe të prosperuar. Kjo mund të arrihet vetëm përmes një dialogu të ndershëm midis politikanëve legjitimë. Aktualisht demokracia në Kosovë është më e brishtë se kurrë, na duhen fjalë të qarta dhe gjithashtu mbështetja e partnerëve tanë është e domosdoshme. Në pritje të një përgjigjeje tuajën, ju falënderojmë paraprakisht”, thuhet në letrën e 15 shoqatave dërguar Merkelit.

15 shoqatat që i shkruajtën Merkelit:

Oda Hamburg E.V

ILIRIA

Tash!

OASA

Besa Foundation

Studentët Shqiptarë Stuttgart -Albanische Hochschulgruppe

Die Sterne Kosovas e V.

FC Kosova Montabaur

Albanisch-Kosovarisches Zentrum fur Kultur und Integration

Albanian Medical Federation for Europe

Ansambli Pavarësia

Albanisches Kultruzentrum

K.F Kosova – Hamburg

Shoqata Kulturore Shqiptare – Fellbach

Dardani Bamberg

Këtu mund ta lexoni letrën e plotë të 15 shoqatave nga diaspora dërguar Angela Merkelit