Më shumë se 150 anëtarë të Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Alaskës të caktuar në Batalionin e Parë, Regjimentin e 29-të të Këmbësorisë, kanë arritur në shtëpitë e tyre në SHBA pasi përfunduan misionin e tyre në Kosovë.
Kishin kaluar më shumë se 10 muaj që kur këta ushtarë qëndruan larg ajrit të freskët malor të Alaskës. Dhe më në fund ata ishin në shtëpitë e tyre, njofton Klan Kosova.
Për shkak të masave mbrojtëse ndaj pandemisë ata nuk u pritën si zakonisht. Por, brohoritjet u zëvendësuan me një “mirëpritje në shtëpi” dhe një “punë e shkëlqyer” nga udhëheqja e lartë e Gardës së Ushtrisë së Alaskës derisa ushtrët zbritnin shkallët.
“Shtrëngimi i duarve u zëvendësua me prekje bërrylash. Sidoqoftë, krenaria për një punë të bërë mirë dhe entuziazmi i mbërritjes në shtëpi ende rrezatonte nga fytyrat e anëtarëve të Gardës, ndërsa ata ecnin nga dyert e daljes në aeroport”, thuhet në faqën e ushtrisë amerikane.
“Nuk mund të jem më i gëzuar sesa sot që do të shoh familjen time”, tha Justin Kompkoff, një këmbësor i Gardës.
“Është surreale. Jam shumë i lehtësuar që kjo ka mbaruar dhe mezi pres një periudhë pushimi pushimi”.
Ata u pritën me përqafime të ngrohta nga familjarët e tyre.
Megjithatë, për shkak të koronavirusit ata do të qëndrojnë në karantinë edhe për 14 ditë.
“Me historinë e konfliktit etnik në Kosovë, është e rëndësishme që SHBA të ketë një prani të dukshme ushtarake për të parandaluar armiqësitë”, tha koloneli Samuel Scott.
Një nga detyrat kryesore të batalionit në Kosovë ishte monitorimi i linjave kufitare administrative të vendit dhe porteve të hyrjes për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe një mjedis të sigurt për njerëzit e Kosovës. Ushtarët bashkëpunuan me forcat e ligjit të Kosovës për të luftuar veprimtarinë e paligjshme si kontrabanda dhe trafikimi seksual.
Ushtria thotë se marrëdhëniet e ushtarëve me komunitetin ishin një pjesë thelbësore e jo vetëm sigurimit të informacionit, por zhvillimit të marrëdhënieve dhe dhënies së ndihmës bashkive përreth me projekte lokale, si ndërtimi i kishave dhe shpërndarja e ushqimit.
“Misioni i parë për mua ishte i shkëlqyeshëm dhe për djemtë që punuan shumë. Të punosh me aleatët e NATO-s dhe ndërtimi i lidhjeve me njerëzit e Kosovës ishte vërtet një përvojë e shpërblyeshme”, tha Trae Curtis, ushtar i këmbësorisë dhe student i Universitetit të Alaskas.