AAK-ja propozon që Qeveria të ndajë nga 100 euro për çdo qytetar

AAK përmes një konference për media ka propozuar që secili qytetarë të mbështetet me nga 100 euro nga Qeveria e Kosovës.

Gazmend Abrashi nga AAK ka thënë se si kurrë më parë qytetarët duhet ta ndjejnë dorën e shtetit.

“Si kurrë më parë secili qytetar duhet ta ndjejë dorën e shtetit, andaj ne si AAK propozojmë që të ndahen si mbështetje për secilin qytetar nga 100 euro”, ka thënë Abrashi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij mbështetja do të shpërndahej bazuar në ekstraktet familjare në secilën Komunë.

Masat e propozuara për krizën ekonomike nga Qeveria e Kosovës sipas AAK-së nuk mjaftojnë, raporton KOHA.

Në një konferencë për media Abrashi tha se implentimi i tyre po shkon ngadalë dhe është i ngarkuar me procedura dhe paqartësi që sipas tij do të shkaktojnë vonesa dhe do të ndikojnë në rritjen e pasigurisë ekonomike.

Sipas AAK-së në këto masa nuk janë të përfshirë shumë kategori si punëtorët pa kontrata e ekonomitë familjare, të vetëpunësuarit, nënat vetushqyese. Ky subjekt politik ka kërkuar që të bëhet urgjent rishikimi i buxhetit, me arsyetimin që të rialokohen mjetet bazuar në nevojat e komunave të vendit.