Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka paralajmëruar se nëse nuk rritet numri i të infektuarve me koronavirus dhe situata mbetet nën kontroll, brenda 2-3 ditësh kryeqyteti mund të dalë nga karantina.
Ahmeti tha se megjithatë, këto ditë nuk duhet relaksuar pavarësisht se mbrëmë numri i të infektuarve në nivel vendi ishte 6 e në Prishtinë s’rezultoi asnjë.
“Situata është në kontroll, ju e dini që dje kemi pasur një ditë me zero raste. Pardje kemi pasur një ditë ku jemi frikësuar më shumë sepse kemi pasur 66 të testuar. Prej tyre dolën gjashtë që ishin familjarë të rasteve të një dite më parë. Unë mendoj që jemi mirë një herë por nuk do të thotë që duhet të relaksohemi. Në qoftë se vazhdojmë kështu edhe dy-tri ditë, besoj që së pari do të kemi mundësinë që të heqim karantinën, pra këtë bllokimin e jashtëm të Prishtinës. Ndërsa kufizimet tjera mbesin në fuqi”, tha Ahmeti për KP gjatë shënimit të Ditës së Tokës.
Ai bëri të ditur që edhe sot janë duke vazhduar me testimet e qytetarëve të Prishtinës.
Në komunën e Prishtinës deri tani kanë rezultuar 65 persona me koronavirus, një prej tyre ka vdekur, dhe deri më tani nuk është asnjë i shëruar.