Australia marrëveshje me SHBA-në për qasje në rezervat e naftës

Australia ka nënshkruar një marrëveshje me SHBA-në për të pasur qasje në rezervat e naftës me qëllim të përfitimit nga çmimet e ulëta të naftës.

“Kam nënshkruar një marrëveshje me SHBA-në për të pasur qasje në rezervat e tyre, thjesht sepse nuk kemi hapësirën e ruajtjes këtu në Australi tani”, tha ministri i Energjisë i Australisë, Angus Taylor.

Korporata Australiane e Transmetimit (ABC) ka njoftuar se qeveria do të shpenzojë 94 milionë dollarë për ruajtjen e naftës në SHBA për të siguruar që Australia ka karburant të mjaftueshëm në rast të “ndërprerjeve globale” në të ardhmen.

Reklama e sponzorizuar

“Tani është koha për të blerë karburant dhe ne po e bëjmë këtë”, shtoi Taylor.

Ministri i Energjisë tha se Australia aktualisht ka karburant për rreth një muaj, por qeveria synon të ketë rezerva shumë më të mëdha.

Nafta e papërpunuar West Texas Intermediate (WTI) të hënën ra në shifra negative për herë të parë në histori. Çmimi i WTI në bazë të kontratës së të ardhmes (Futures), ra në nivel aq të ulët derisa arriti në -37,63 dollarë, që është një rënie prej më shumë se -290 për qind. Kjo nënkupton se ekziston një tepricë e tillë në krahasim me kërkesën që furnizuesit duhet të paguajnë për të shitur mallin e tyre.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent ra nën pragun prej 20 dollarëve për fuçi të martën, duke shënuar nivelin e tij më të ulët që nga shkurt i vitit 2002, duke regjistruar një humbje ditore prej 29.27 për qind pasi të hënën u mbyll në 25,48 dollarë për fuçi.

Më 12 prill vendet prodhuese të naftës OPEC-plus u pajtuan për të frenuar prodhimin e tyre të përgjithshëm të naftës duke filluar nga muaji tjetër, një vendim që erdhi një muaj me vonesë pas takimit të mëparshëm në Vjenë të Austrisë më 6 mars.

Vonesa njëmujore për të frenuar prodhimin, mbi zbatimin e uljes nga 1 maji e tutje, e ka lënë tregun global të naftës me një tepricë të furnizimit për të shtuar telashet, që nga ana tjetër ka ulur në mënyrë dramatike çmimet e naftës së papërpunuar.