BE i ofron 180 mln euro kredi Shqipërisë, për përballimin e pasojave nga COVID-19

Komisioni Evropian ka propozuar një paketë prej 3 miliard eurosh që t’i vijë në ndihmë 10 vendeve fqinje të BE-së, ndër të cilat Shqipëria pritet të përfitojë 180 mln euro.

Paketa e ndihmës ekonomike është propozuar për të përballuar kostot e rënda ekonomike të shkaktuara nga përhapja e koronavirusit.

‘Ne propozojmë 3 miliardë euro ndihmë makro-financiare për të mbështetur dhjetë vendet fqinje në kufizimin e ndikimit ekonomik të pandemisë #coronavirus. BE qëndron në solidaritet me këto vende në një kohë krize të tillë,’‘ deklaron KE përmes një postimi në rrjetin social.

Reklama e sponzorizuar

KE vë në dispozicion dhe një tabelë të shpërndarjes së parave, teksa mbi propozimin në fjalë ka reaguar dhe ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca.

Ambasadori shkruan se 180 mln eurot e ndihmës janë në formën e një kredie me interesa mjaft të favorshme.

“Asistenca e BE-së për Shqipërinë në kohët e Covid-19 shënon një tjetër hap të rëndësishëm. Pas aistencës së parë, Komisioni Evropian propozon që t’ alokojë 180 mln euro Shqipërisë, në formën e kredive me terma mjaft të favorshëm, me qëllim ndihmën për të mbrojtur qytetarët dhe përballimin e pasojave negative socio-ekonomike”-shkruan Soreca.

Kujtojmë se ditën e djeshme, BE i dhuroi Shqipërisë 20 mijë kite për kryerjen e testeve të koronavirusit.