BE-ja miraton paketën e shpëtimit

Ministrat e Financave në vendet e Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për paketën e shpëtimit në vlerë të 500 miliardë eurove, e cila synon t’iu ndihmojë vendeve evropiane të prekura më së keqi nga pandemia me koronavirus.

Udhëheqësi i Eurogrupit, Mário Centeno, ka njoftuar për arritjen e marrëveshjes, pas diskutimeve maratonike në Bruksel.

Ky vendim vjen pak pasi kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka thënë se ky shtet është afër kalimit të fazës më të vështirë të pandemisë.

Reklama e sponzorizuar

Spanja aktualisht ka numrin më të madh të personave të prekur me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, 152,446, ndërkohë që më shumë se 15,000 kanë vdekur.

Kryeministri francez, Bruno Le Maire, ka përshëndetur marrëveshjen, duke e konsideruar si planin më të rëndësishëm në historinë e BE-së.

“Evropa ka vendosur dhe është e gatshme për t’u përballur me gravitetin e krizës”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.

Udhëheqësja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieve ka paralajmëruar se bota përballet me krizën më të rëndë ekonomike prej periudhës së Depresionit të Madh, të viteve 1930.