Bosnjë-Hercegovina ka raportuar të mërkurën të mërkurën numrin më të madh të rasteve me koronavirus këtë muaj, pasi dy regjione autonome nisën zbutjen graduale të masave të kufizimit, shkruan Reuters.
Është raportuar për 93 raste me Covid-19 në 24 orët e fundit, krahasuar me 20 një ditë më herët dhe 49 dy ditë më herët, kanë thënë zyrtarët.
Numri total i të infektuarve është rritur në 1.677, ndërkohë kanë vdekur si pasojë e COVID-19 65 persona. Janë testuar 29.130 veta.
Republika Srpska, ku nga e hëna u fut në fuqi masa e re, e cila lejon të moshuarit të dalin në qytet për tri orë në çdo ditë pune dhe lejoi hapjen e disa bizneseve, raportoi për 59 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit. Autoritetet kërkuan nga qytetarët të mbajnë distancën dhe maska në çdo kohë.
“Përqindja e rasteve pozitive në raport me numrin e testimeve është duke zbuluar një ulje të disiplinës individuale”, tha ministri i Shëndetësisë i Republikës Srpska, Alen Seraniq, duke shtuar se 8 për qind e atyre që u testuan në 24 orët e shkuara rezultuan pozitivë krahasuar me 5 për qind që ishte më parë.