COVID-19 / Çfarë mund të na tregojë për të ardhmen ekonomia e Kinës

  • Aktiviteti ekonomik i Kinës u ngadalësua në mënyrë dramatike, gjatë përhapjes së virusit COVID-19.
  • Mendohet se efektet në ekonominë e vendit mund të parashikojnë atë që do të përjetojë edhe pjesa tjetër e botës
  • OKB ka parashikuar se humbjet globale ekonomike mund të arrijnë deri në 2 trilionë dollarë

Ndikimi ekonomik i COVID-19

Kina, dikur epiqendra e pandemisë COVID-19, duket se po kthen një faqe të re. Teksa numri i rasteve të raportuara në vend është pranë zeros, jeta e përditshme po i rikthehet dalëngadalë normalitetit. Sidoqoftë, të dhënat ekonomike të dy muajve të parë, tregojnë dëmin që ka pësuar ekonomia e vendit, shkruan The Economist.
Grafikët e mëposhtëm përshkruajnë humbjet e mprehta që ka pësuar ekonomia e Kinës dhe si ajo mund të na tregojë se çfarë i pret vendet që janë vetëm në fazat e hershme të përhapjes së virusit.

Teksa fabrikat dhe dyqanet rihapen, Kina duket se po e kapërcen tronditjen e furnizimit të shkaktuar nga izolimi. Sidoqoftë, vendi tani po përballet me një tronditje të madhe të kërkesës:

Reklama e sponzorizuar

Kërkesa e brendshme po rimëkëmbet shumë ngadalë për shkak të plagëve psikologjike, falimentimeve dhe humbjeve të vendeve të punës. Në një studim të kryer nga një kompani financiare në Pekin, pothuajse 65% e të anketuarve planifikojnë të “kufizojnë” shpenzimet e tyre pas pandemisë. Kërkesa nga jashtë po vuan ndërkohë që më shumë vende po përballen me virusin.

Shumë dyqane po mbyllen dhe/ose po anulojnë porositë, duke çuar në një tepricë të mallrave. Ndërkohë që një rimëkëmbje e shpejtë duket se është e pamundur, shumë ekonomistë presin që PBB-ja e Kinës të tkurret në tremujorin e parë të vitit 2020 – rënia e parë që nga viti 1976.

Rrezik në horizont

A janë të destinuara vendet e tjera të ndjekin të njëjtën rrugë? Bazuar në të dhënat paraprake ekonomike, duket se kështu do të ndodhë.

SHBA

Rreth gjysma e popullsisë amerikane është urdhëruar të qëndrojë në shtëpi, duke kufizuar rëndë aktivitetin ekonomik dhe duke çuar në shkarkime nga puna. Deri më 21 mars, kërkesat totale për ndihmë papunësie u rritën në pothuajse 3.3 milionë – niveli më i lartë në histori. Gjatë krizës globale financiare, shifra javore e kërkesave për ndihmë papunësie ishte 665,000. Për më tepër, aktiviteti prodhues në Pensilvaninë Lindore, New Jersey dhe Delaware ra në nivelin më të ulët që nga korriku 2012.

Nëpër botë

Vende të tjera po ndiejnë gjithashtu ndikimin ekonomik të COVID-19. Për shembull, rezervimet globale online për restorante kanë rënë me 100% krahasuar me vjet. Në Kanada, gati një milion njerëz kanë aplikuar për ndihmë papunësie. Vende të goditura rëndë si Italia dhe Spanja, të cilat tashmë vuajnë nga papunësia e lartë, gjithashtu pritet të përjetojnë rënie ekonomike. Sidoqoftë, është shumë shpejt për të vlerësuar masën e dëmit.

Dritë në fund të tunelit

Duke marrë parasysh mbylljen e shumë ekonomive, FMN-ja parashikon një recesion global në vitin 2020. Nga ana tjetër, OKB-ja vlerëson se COVID-19 mund të shkaktojë një kosto prej 2 trilionë dollarësh në ekonominë globale.
Por ka edhe optimistë. Disa analistë parashikojnë rimëkëmbje të shpejtë që në tremujorin e tretë të vitit 2020. Këtu do të ndikojnë disa faktorë, si stimuli qeveritar, besimi i konsumatorit dhe numri i rasteve të COVID-19.