Dialogu në “karantinë”

Nuk do të shoqërohen me rinisje të menjëhershme të dialogut Kosovë-Serbi dy zhvillimet e javës së shkuar: emërimi i Miroslav Lajçakut si përfaqësues special i Bashkimit Evropian për këtë dialog dhe heqja e tarifës 100 për qind nga ana e Qeverisë ndaj produkteve me origjinë fqinjin verior, që shihej si pengesë për negociata.

Kjo, jo veç për shkak të përballjes me pandeminë COVID-19, por edhe shkaku i zhvillimeve politike në Kosovë, si dhe zgjedhjeve në Serbi e atyre në Shtetet e Bashkuara (SHBA).

Që nga muaji i shkuar, Evropa është kthyer në epiqendër të pandemisë, ndërsa në dy javët e fundit ka marrë intensitet edhe në SHBA. Mbi 1.3 milionë njerëz janë prekur me virusin SARS-CoV-2 që e shkakton këtë pandemi, ndërsa mbi 70 mijë nga ta nuk i kanë mbijetuar deri tash. Thuajse të gjitha vendet kanë mbyllur kufijtë, e temat e tjera, përpos ato që lidhen me përballjen me virusin, janë larguar nga agjenda, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Nga ana tjetër, gjatë kohës së luftës me COVID-19, Qeveria e Kosovës është rrëzuar me mocion mosbesimi, pas së cilës vendimmarrjeje vendi ndodhet në krizë politike. Zgjedhjet parlamentare në Serbi të paralajmëruara për fundin e prillit janë shtyrë për një kohë të pacaktuar, shkaku i pandemisë. Ndërkaq, në Shtetet e Bashkuara zgjedhjet presidenciale do të mbahen në vjeshtë.

Analisti Besnik Vasolli përmend këto rrethana si argument se dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet.

“Pandemia është shumë sfiduese dhe nuk pritet të ketë dialog përmbajtjesor, jo përderisa situata me COVID-19 nuk po duket që është duke u përmirësuar. Kosova, Serbia, BE-ja dhe SHBA-ja nuk do ta kenë prioritet dialogun”, i ka thënë gazetës Vasolli. “Përpos ndonjë takimi iniciues ku palët mund të takohen online, nuk pres që të ketë ndonjë mundësi reale të dialogut, së paku jo dialog për të zgjidhur sfida të akumuluara”.

Në Qeveri kanë thënë se prioritet i saj aktualisht mbetet lufta kundër virusit vrasës, i cili ka prekur rreth 160 shtetas dhe ka marrë tri jetë.