Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, tha se janë të angazhuar maksimalisht në trajtimin e krizës së pandemisë.
Ai i ka falënderuar qytetarët për respektimin e masave të vendosura nga institucionet dhe ka bërë thirrje që të vazhdojnë t’i zbatojnë ato, njofton Klan Kosova.
Por, Qalaj pati edhe një thirrje për bizneset në respektimin e ndalim-qarkullimit.
“Ju bëj apel bizneseve që të respektojnë orën e kufizimit dhe të mbyllin lokalet një orë më herët. T’i lirojnë ata një orë më herët dhe jo në ora 17:00. Ju kisha lut të na ndihmojnë që të kemi sa më pak grumbullim”.
“Angazhimet e Policisë të Kosovës janë mjaft të mëdha. Ata bëjnë transportin e qytetarëve nga pikat kufitare dhe i dërgojnë në Qendrën Studentore që po shfrytëzohet si karantinë dhe iu ndihmojnë atyre që kalojnë në vendin tonë me ndihmën e FSK-së”.
Po ashtu, Qalaj tha se policët që tash po punojnë me nga 12 orë janë edhe të angazhuar në mbajtjen e rregullit në komunat që janë futur në karantinë – duke mos i përjashtuar as ato veriore.
Ai falënderoi Klinën, Malishevën dhe Vitinë për rendin duke pasë parasysh që janë në karantinë që një kohë të gjatë.