Grupi i armatosur plaçkit minierën e arit në Meksikë, largohen me aeroplan

Një grup i armatosur sulmoi një minierë ari në Meksikën veriore dhe vodhi shufra prej ari dhe argjendi para se të iknin me një aeroplan të vogël, tha operatori i minierës “Minas de Oro Nacional”.

“Minas de Oro Nacional”, degë e firmës kanadeze “Alamos Gold Inc.”, tha në një deklaratë për media se plaçkitja në minierë ndodhi kur një grup prej pesë personash “të armatosur rëndë” sulmuan stafin e sigurisë të cilët po i bartnin shufrat e metaleve të çmueshme në një aeroplan, raporton Reuters.

Brenda 10 minutave, plaçkitësit i ngarkuan mallrat në një aeroplan tjetër që ishte parkuar pran tjetrit. Aeroplani, i cili mendohet të ketë qenë një “Cessna 206”, më pas u ngrit drejt një mali. “Minas de Oro Nacional” nuk ka dhënë detaje për vlerën e shufrave të vjedhura, transmeton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Shoqata e Minierave në Sonora (AMSAC) tha se incidenti ishte i dyti i kohëve të fundit në një minierë në Sonora, pasi një grup i armatosur në fund të marsit vodhën nga miniera “Penmont”, degë e “Fresnillo”. Ata u bënë thirrje autoriteteve që të punojnë me kompanitë e minierave që të shtojnë sigurinë në këtë kohë paqëndrueshmërie si pasojë e krizës me koronavirusin e ri.