Hamza: PDK-ja do të insistojë që projektligjet të trajtohen në Kuvend

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka thënë të marten se partia e tij nuk i ka tërhequr projektligjet dhe se do të insistojë për trajtimin e tyre në Kuvend.

“Ato janë në procedurë dhe do të insistojmë që ato të trajtohen në Kuvendin e Kosovës. Gjithmonë jemi të bindur që janë të nevojshme për vendin”, ka thënë ai, gjatë një konference shtypi.

Hamza ka folur pasi që Kuvendi ka dështuar të marten, të diskutojë pakon alternative emergjente, të propozuar nga PDK-ja.

Reklama e sponzorizuar

Në Kuvend Hamza kishte kërkuar shqyrtimin e dy projektligjeve, përmes një mocioni procedural, gjë që është refuzuar. E në konferencë, ai ka dhënë sqarime.


“Sot, PDK-ja ka pasur për qëllim që në kuadër të kësaj seance të procedojë me dy projektligje, të cilat janë të domosdoshme për krijmin e bazës legale që bizneset në Kosovë, të punësuarit në sektorin privat, pensionistët, familjet në asistencë sociale, familjet e dalura nga lufta dhe të gjithë ato kategori që përfitojnë nga buxheti i shtetit të përfitojnë nga kjo pako”, ka thënë Hamza në konferencë.

Hamza ka shtuar se partia e tij ka kërkuar mocion procedural, gjë që sipas tij ka ndodhur edhe më herët.

“Ka pasur raste dhe praktika nga e kaluara, kur në seanca të jashtëzakonshme, me mocion procedural janë futur ligje dhe janë votuar ato. Ky është interes nacional i vendit, sepse jemi vonuar”, ka thënë ai.

“Nuk ka mundësi që një pjesë e madhe e masave të propozuara të zbatohen pa bazë legale. Ky ishte qëllimi ynë sot”, ka thënë ai.

Hamza në konferencë ka folur edhe për grupet parlamentare të partive tjera. Ka kritikuar LVV-në.

“Gjithashtu edhe sa i përket grupeve parlamentare, LVV nuk mori fare pjesë në seancë. Sigurisht kanë krijuar përshtypjen që ka mundësi gjithçka të bëhet pa ligj, që ligji të shkelet, e të shkelet edhe Kushtetuta”, ka thënë ai.

Sa i përket LDK-së, ai ka thënë se tek grupi parlamentar i kësaj partie nuk u vërejt gatishmëri që këto projektligje të futen në procedurë.