Haskuka e Vitia pajtohen që Prizreni të shpallet zonë karantinë, pas 14 rasteve të reja

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, të dielën mbrëma, ka njoftuar se me ministrin e Shëndetësisë janë pajtuar që Prizrenin ta shpallin zonë karantinë.

Sipas tij, ky vendim është marrë pas konfirmimit se edhe 14 persona janë infektuar me koronavirus, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

“Sipas raportit të sotëm të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në komunën e Prizrenit sot për fat të keq kanë rezultuar pozitive edhe 14 raste të reja me COVID-19. Të gjitha këto raste kanë rrjedhur nga kontaktet e rasteve të mëparshme në komunën tonë… Menjëherë pas pranimit të raportit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, u dakorduam me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, që Prizrenin ta shpallim zonë karantinë”, ka shkruar Haskuka në rrjetet sociale.

Kreu i Prizrenit ka bërë të ditur se aktualisht numri total i rasteve aktive me COVID-19 në Prizren është 19.