Istrefi shpreson që qeveria e re të anulojë vendimet e fundit të Qeverisë Kurti

I shkarkuari nga posti i kryeshefit të Telekomit, Bedri Istrefi, ka thënë se shpreson që qeveria e re, që pritet të bëhet javën e ardhshme, të anulojë vendimet e fundit të Qeverisë Kurti, përfshirë atë për shkarkimin e Istrefit.

“Nëse i shohim deklarimet e të gjitha partive politike, LDK, AAK, Nisma, shohim se të gjithë kanë qëndrime konkrete që vendimet e qeverisë aktuale duhet të anulohen të gjitha për shkak të shkeljeve ligjore të tyre. Shpresoj që të jetë vendimi i parë që të shfuqizohen. Sepse po kapen ndërmarrjet publike”, ka thënë ai, teksa vazhdimisht ka quajtur anëtarët e VV-së “militantë me shirita të kuq”.

Istrefi ka thënë se nën menaxhimin e tij s’ka lejuar ndikim të politikës e të ketë udhëheqje në bazë të preferencave partiake. Sipas tij, asnjë drejtor i Telekomit nuk është me PDK-në, e ka të të gjitha partive.

Reklama e sponzorizuar

Për pagën e tij të lartë prej më shumë se 5000 eurosh, Istrefi ka përsëritur se ka kërkuar uljen e saj.

“Sa i përket pagës, është banalizuar shumë. E kemi diskutuar. E kam gjetur aty. S’ia kam bë vetes. S’kam të drejtë t’ia uli vetes pagën. E ka bordi i Telekomit. Qysh në mars 2019 kam bë kërkesë me shkrim që të ulet paga ime. Në mbledhjen e parë apo të dytë kam bë kërkesë te bordi aktual që paga ime të ulet për 60 për qind. Jam duke u ndier i turpëruar me këtë pagë dhe merrni vendimin”, ka thënë Istrefi.