Sipas Bedri Istrefit, ish-kryeshef ekzekutiv i Telekomit, Qeveria në detyrë e Kosovës, ka shkelur ligjin me vendimin për shkarkim të dy anëtarëve të bordit të përkohshëm të Telekomit për të emëruar dy të rinj.
Ai ka thënë në Interaktiv të KTV-së se Qeveria s’ka pasur as kuorum për këtë vendim.
“Pasojat ligjore i presin anëtarët e bordit. Qysh nesër do t’i bëj kallëzim penal ministres Hajdari e anëtarëve të bordit. Si guxon të merresh vendim në mbledhje në ministri. Është ndërhyrje në bord. Pos që kanë bërë vendim në mbledhje, janë emëruar dy që kanë ardhur në vend të dyve që janë shkarkuar… A ka pasur qeveria kuorum që të shkarkojë ata e të ngarkojë të rinjtë. Sipas informatave që kam marrë, ministrat e LDK-së s’ishin prezentë, as ata të minoriteteve. A ka pasur kuorum? Është jashtëzakonisht joligjor. Le të llogaritet sa ministra ka VV-ja e sa LDK-ja e sa minoritetet. S’ka pas kuorum të mjaftueshëm”, ka thënë ai.
Istrefi: Kryesuesi i bordit të ri më vinte në zyre e më thoshte “jam i kënaqur me ty”
Bedri Istrefi, kryeshefi i shkarkuar i ndërmarrjes Telekomi i Kosovës nga bordi i përkohshëm, tha se për 3 muaj qeveria aktuale ka tentuar të punësojë militantë në Telekom.
Sipas tij, bordi i përkohshëm i Telekomit, me anëtarët që ka, janë militantë të Vetëvendosjes.
“Mbledhjet e bordit patjetër duhet të mbahen në Telekom, madje ata obligohen t’i mbajnë në Telekom”, tha ai në Interaktiv.
“Që tre muaj janë në Telekom, dhe asnjëherë s’janë mbajtur mbledhjet aty. Edhe thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme e kanë bërë në mënyrë të jashtëligjshme”, u shpreh Istrefi.
Istrefi tha se e ka informuar edhe Bordin e ri, edhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministren e MEPTINIS Rozeta Hajdari, për çështjet në Telekom dhe tha se “i ka pyetur a kanë strategji për të punuar”.
Istrefi thotë se “në muajin e parë, çdo javë kryesuesi i bordit ka qenë në zyrën time”.
“Më ka thënë që jam jashtëzakonisht i kënaqur me punën tuaj. Më ka dhënë garancion që do të jem në këtë post. Më ka kërkuar t’i shkarkojë 14 anëtarë e t’i emërojë me militantë”, u shpreh ai, duke mos treguar se cili prej kryesuesve ka qenë.
Istrefi ka mohuar se sot ka pasur përplasje verbale mes tij dhe bordit të përkohshëm, për mbajtjen e mbledhjes.