Ende pa kaluar shumë ditë që kur hapi rrugët dhe zbuti masat e izolimit, Kina po i frikësohet një valë të re të epidemisë së coronavirusit, raporton BBC.
E për ta parandaluar këtë kanë vënë masa të reja, duke vendosur kamera para ndërtesave kolektive të banimit dhe shtëpive private, kurse një qytet i tërë përgjatë vijës kufitare me Rusinë dhe që i ka 10 milionë banorë, është futur sërish në karantinë, transmeton Telegrafi.
Kina që ka regjistruar 82 mijë raste me COVID-19 dhe 4,633 tjerë që humbën jetën, kishte filluar gradualisht të zbut masat e izolimit pas shumë muajve “paralizë” totale.
Të hënën afro 50 mijë nxënës të shkollave të mesme, shumica prej të cilëve po përgatiten për provimin pranues në universitetet e ndryshme i janë rikthyer bankave në Pekin.
E qytetet tjera kanë paralajmëruar data të ndryshme të rihapjes së shkollave. Në të njëjtën kohë, autoritetet janë të brengosura se mund të vie deri te një valë e dytë e infeksionit të coronavirusit.
Pekini ka publikuar listën e veprimeve të cilave qytetarët duhet t’i përmbahen siç është mbulimi i fytyrës dhe hundës derisa teshtinë apo kolliten, të mos hanë në mjetet e transportit publik dhe të bartin maska kur janë të sëmurë.
Në restorante gjithashtu kërkohet që porcionet e përbashkëta të mos porositen siç veprohej para pandemisë.
Këto masa pritet të aplikohen nga 1 qershori, kurse palestrat e fitnesit dhe pishinat do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura nga frika se mund të vie deri te një valë e dytë.