Këshilli për Mbrojtjen e të drejtave e të lirive të njeriut ka kërkuar që me urgjencë të lirohen të dënuarit që i plotësojnë kushtet për shkak të pandemisë.
“Pas shpërthimit të pandemisë COVID -19 në Kosovë, KMDLNj, menjëherë ka kërkuar masa shtesë për ruajtjen e shëndetit të personave të privuar nga liria dhe stafit korrektues, administrativ dhe shëndetësor të burgjeve si dhe hartimin e një liste prioritare të atyre të dënuar që do të liroheshin, që do të kishin ndërprerje të përkohshme të dënimit”, thuhet në reagim KMDLNj thotë se është habi dhe nonsens që Komisioni për Legjislacion nuk e ka shqyrtuar kërkesën për ndryshimin e ligjeve, por anëtarët e tij nuk kanë pranuar as të takohen me Ministren e Drejtësisë.
“Për KMDLNj-në është krejtësisht i papranueshëm politizimi i çdo kërkese që bëhet e sidomos e konsideron të pakuptimtë lojën politike që po bëhet në kurriz të të drejtave të personave të privuar nga liria. Kërkesë për lirim të pjesshëm të personave të privuar nga liria është kërkesë explicite e KMDLNj-së e cila është mbështetur në rrethanat e krijuara”, theksohet në reagim. KMDLNj thotë se janë në konsultim me Zyrën e Presidentit në mungesë të bazës ligjore . Aty theksohet se Presidenti e ka në dorë mundësinë për lirim të të dënuarve që i plotësojnë kushtet.