Kolona të gjata në Prishtinë e Pejë, qytetarët po e shfrytëzojnë ditën e fundit ku lëvizja iu lejohet më gjatë

Ministria e Shëndetësisë e autorizuar nga Qeveria, të hënën prezantoi masat e reja të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në Kosovë. E ky vendim i MSH’së i cili hyn në fuqi nga e mërkura e 15 prillit, duket se i ka futur në panik qytetarët të cilët të martën po e shfrytëzojnë për të kryer nevojat e tyre, pasi lëvizja edhe sot lejohet deri në orën 17:00

Kolona të gjata janë krijuar pothuajse në shumicën e qyteteve të Kosovës. Qytetarët po e shfrytëzojnë edhe të martën për të kryer nevojat e tyre si blerjet nëpër markete dhe furnizimi me gjërat e nevojshme.

Krejt kjo, pasi Ministria e Shëndetësisë ka marrë një vendim të ri për lëvizjen e qytetarëve i cili hyn në fuqi të mërkurën.

Reklama e sponzorizuar

Në bazë të këtij vendimi, që nga data 15 prill në ora 06:00, qytetarët e Kosovës nuk do të lejohen të dalin nga shtëpitë. Ata do të kenë të drejtë të lëvizin në rrugë vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë, dhe atë vetëm për nevoja thelbësore.

E daljen e tyre, qytetarët e kanë të caktuar në bazë të numrit të parafundit në letërnjoftimin e tyre.

Lexues të Gazetës Express kanë dërguar pamje nga Prishtina e Peja, ku shihen kolona të gjata të veturave në orët e mesditës të së martës.