Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka kërkuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, që në vendimin e Qeverisë për mbështetje financiare shtesë për punonjësit shëndetësorë, të përfshihet stafi profesional mjekësor dhe ai mbështetës jomjekësor në të gjitha institucionet në vend.
Sipas njoftimit për media, ky Komision ka deklaruar se mbështesin kërkesën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, në lidhje me paqartësinë e vendimit të Qeverisë për mbështetje shtesë financiare për punëtorët e sistemit shëndetësor.
“Nisur nga fakti se sistemi shëndetësor në vendin tonë funksion në mënyrë zingjirore dhe në vete ngërthen angazhimin e stafit profesional mjekësor por edhe stafit tjetër mbështetës, si Komision Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale mbështesim kërkesën e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës. Me qëllim që të mos kemi shkëputje të hallkës së funksionimit të sistemit shëndetësor në ketë kohë kur pandemia Covid-19 po merr çdo ditë dimension të ri, kërkojmë nga qeveria dhe Kryeministri në detyrë, z. Kurti, që në vendimin e Qeverisë në detyrë për mbështetje financiare shtesë për punonjësit shëndetësorë, të përfshihet tërë stafi profesional mjekësor dhe ai mbështetës jo mjekësor në të gjitha institucionet shëndetësore brenda vendit”, thuhet në njoftimin e dërguar mediave.
Sipas tyre, kjo mbështetje do të ndihmojë në rritjen e efikasitetit të të gjithë atyre që janë të angazhuar në sistemin shëndetësor.