Koronavirusi për Italinë, një luftë me dy fronte

Dr Warish Ahmed works in a CSIRO Land and Water testing lab in Queensland, Australia in this handout picture taken in 2018. CSIRO/Handout via REUTERS ATTENTION EDITORS - THIS IMAGE HAS BEEN SUPPLIED BY A THIRD PARTY. MANDATORY CREDIT. NO RESALES. NO ARCHIVES

Koronavirusi veç ishte një katastrofë e vërtetë për Meorina Mazzan. Në mars virusi ia sëmuri vëllain, ia la të vdekur një kushëri dhe i nxiti zyrtarët në rajonin jugor italian të Kalabrisë që ta vënë në karantinë qytetin e saj të vogël bregdetar San Lucido, shkruan NYT.

Por, bllokada e la atë të shkëputur edhe nga puna si ndihmëskuzhiniere dhe ia vështirësoi aplikimin për mirëqenie sociale. Tani ajo varet nga donacionet e miellit për ta ushqyer të bijën, por akoma pa para për ta paguar faturën e rrymës.

“Përnjëmend po shkojmë drejt dëshpërimit total”, ka thënë Mazza, nënë 53-vjeçare e dy fëmijëve.

Reklama e sponzorizuar

Epidemia e koronavirusit në Itali, ndër më vdekjeprurëset në botë me mbi 24.000 fatalitete, ka shpërthyer fillimisht në veriun më të kamur të vendit, duke e gjunjëzuar njërin prej sistemeve më të sofistikuara shëndetësore të Evropës. Por, janë më të varfrit e vendit, ata të jugut më pak të zhvilluar, ata që po e ndiejnë më së shumti krizën dhe e kanë kuptuar më thellësisht vendimin e qeverisë për ta mbyllur të gjithë Italinë muajin e shkuar.

Tani kur qeveria planifikon që ta fillojë rihapjen graduale të vendit prej 4 majit, disa liderë jugorë vazhdojnë të jenë të shqetësuar rreth potencialit të virusit për ta shkatërruar të gjithë rajonin.

Disa italianë të jugut tanimë janë duke e zhvilluar një luftë me dy fronte, duke u ballafaquar edhe me mizorinë e virusit, por edhe me shkatërrimin mbizotërues ekonomik të paparë që prej periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Shpërthimi i kudondodhur i virusit në Kalabri “mund të ketë qenë një katastrofë”, ka thënë Jole Santelli, kryetare e Kalabrisë, e cili e ndërmori masën drastike për rrethimin e të gjithë rajonit në mars, duke ndihmuar në parandalimin e një katastrofe. Por, dëmi ekonomik, tha ajo, “do të jetë enorm”.

Virusi ekonomik

Kostoja ekonomike tanimë është e dukshme, ani pse jugu përgjithësisht e ka shmangur më të keqen e pandemisë.

Të varfrit, të cilët rëndom janë të punësuar në sektorin e ekonomisë informale, janë përherë më të varur nga lëmosha. Raportet shqetësuese të trazirave sociale kanë qenë pjesë e narratives italiane të sakrificës patriotike. Zyrtarët janë të shqetësuar se krimi i organizuar po e shfrytëzon krizën, duke u paraqitur si ofrues të huave dhe, në disa raste, të ushqimit.

Koronavirusi ka qenë demonstruesi më i qartë i dobësive të qeverive, sistemeve dhe shoqërive kudo që ka depërtuar nëpër botë. Në Itali nuk ka humbur kohë që ta shpërfaqë problemin më të thellë dhe të kahershëm: pabarazinë ekonomike dhe sociale midis veriut dhe jugut.

Bashkimi i Italisë, në mes të shekullit XIX, ishte interpretuar nga shumë dijetarë si një uzurpim i jugut feudal prej mbretërisë veriore të Savojës, në atë që përfundimisht rezultoi me luftë civile.

Gjatë 50 vjetëve të ardhshëm, gardianët e armatosur të padronëve të tokave vakante jugore dalëngadalë e uzurpuan ndikimin, duke u shndërruar në ‘bosë’ të pushtetshëm të krimit të organizuar, të cilët i ndihmuan politikanët bashkëfajtorë që ta zhvillojnë një sistem që i shkëmbente votat për favore. I gjithë ky korrupsion dhe dhuna ndihmuan që ta mbanin jugun të varfër.

Përkujdesja shëndetësore, në veçanti, mbetet njëra prej fushave ku përzierja e patronazhit politik, menaxhimit të dobët dhe ndikimit të krimit të organizuar ka lënë prapa jugun.

Edhe para hovit të virusit, disa spitale në rajon ishin aq të zhytura në borxhe saqë është dashur të viheshin nën administrim të jashtëm ndërsa jugorët shpesh udhëtonin në jug për procedura shëndetësore.

“Sistemi shëndetësor në jug nuk mund ta mbajë qiriun e atij verior”, ka thënë Giovanni Rezza, drejtor i Departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin Kombëtar të Shëndetit.

Santelli, zyra e së cilës është e ngjashme me atë të një guvernatori amerikan, ka thënë se e kishte mbyllur Kalabrinë nga frika se punëtorët e infektuar që do të ktheheshin nga veriu do ta plandosnin sistemin “edhe ashtu të dobët” të shëndetësisë.

Në spitalin rajonal Cetraro, shfaqja e vetëm një pacienti me koronavirus e detyroi mbylljen e dhomës së emergjencës dhe rezultoi me sterilizimin e tërësishëm, ngase administratorët nuk e kishin paracaktuar hartë efikase të rrugës për shmangien e kontaminimit.

“Sikur dallga e tillë si ajo që pati veriu të arrinte këtu”, ka thënë Pino Merlo (60), një mjek në Cetraro, “ne nuk do t’ia arrinim që t’i dilnim ballë”.

Të paktën aktualisht, jugu po mbahet kundruall virusit. Në jug janë shënuar rreth 1.500 vdekje nga koronavirusi, krahasuar me më se 20.000 në veri. Mirëpo derisa jugu e mban virusin larg pragut të tij, kërcënimi ka marrë formë ekonomike.

Në San Lucido, vëllai i Mazzas kaloi më shumë se një muaj në spital, teksa ajo e përdorte miellin për ta gatuar një tortë për të bijat e saja, që ta hanin gjatë gjithë javës.

Sergio Malito, i cili punon në bashkinë e qytetit, ka thënë se tmerri i përhapjes është shndërruar në frikën se dyqanet nuk janë rihapur, se peshkimi nuk ka nisur e turistët nuk do të vinin.

“Do të shkatërrohemi”, ka thënë ajo.

E këtë ndjenjë e ndajnë të gjithë. Një video-xhirim i banorëve të dëshpëruar që bërtasin para bankave në qytetin jugor Bari, në bregun detar përball, është bërë viral. Kjo frikë është shumëfishuar nga telashet ekonomike që kanë qenë mbizotëruese edhe pa arritur virusi.