Koronavirusi po e vret globalizmin

Deri para pak kohësh, shumica e politikanëve dhe investitorëve kishin heshtur përkitazi me ndikimin e mundshëm ekonomik të krizës së koronavirusit.

Deri kah fundi i shkurtit, shumica supozonin paqëndrueshëm se do të kishte një ndikim afatshkurtër, kryesisht në ekonominë kineze. Dhe tani që e kanë kuptuar se pandemia po gjeneron tronditje globale, që mund të jetë kritike, por që megjithatë ende shpresojnë se do të jetë kalimtare, shkruan Foreign Policy, transmeton KOHA.

Por çfarë nëse problemet ekonomike do të kenë ndikim më jetëgjatë? A mundet pandemia e koronavirusit të jetë vendimtare dhe në fakt të jetë gozhda e fundit në arkëmortin e epokës aktuale të globalizmit?

Reklama e sponzorizuar

Masat proteksioniste

Kriza e virusit korona ka vënë në pah anët e liga të integrimit të gjerë ndërkombëtar, duke ndjellë frikë ndaj të huajve dhe duke legjitimuar kufizimet kombëtare ndaj tregtisë globale dhe qarkullimit të njerëzve.

Të gjitha bizneset i kanë kuptuar papritmas të gjitha rreziqet e zinxhirëve globalë të furnizimit që janë specifike jo vetëm për Kinën – por në veçanti për vende si Wuhani, epiqendër e pandemisë. Qytetarët kinezë – dhe tani italianët, iranianët, koreanët dhe të tjerët – po konsiderohen si vektorë të sëmundjes; madje politikanët republikanë amerikanë nisën t’i referoheshin si sëmundja e “koronavirusit kinez”.

Njëherësh, qeveritë e të gjithë krahëve politikë janë ngutur që të vënë ndalesa udhëtimi, vënie vizash dhe kufizime eksporti. Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për ndalimin e fluturimeve nga Evropa është ndër më të spikaturit, por nuk është i vetmi. Krejt kjo situatë pandemie po i kthen ekonomitë në më kombëtare dhe politikat më nacionaliste.

Pjesa më e madhe e këtij kaosi është e përkohshme. Por kriza e koronavirusit do të ketë ndikim jetëgjatë, sidomos nëse detyron autoritetet të marrin masa të tjera që mund të cenojnë edhe më shumë globalizimin. Mund të shkaktojë goditje për sistemin botëror të zinxhirit të furnizimit, të reduktojë hipermobilitetin e biznesit botëror dhe t’u krijojë nacionalistëve favore për kontrolle imigracoini dhe proteksionizmi.

Politika amerikane e tarifave

Zinxhirët e ndërlikuar botërorë të furnizimit në Kinë, prej të cilëve është goxha i varur Perëndimi, ka mundësi të rrezikohen dhe të përballen me presion të madh. Përparësia e çmimit të prodhimit në Kinë ka nisur të ndryshojë viteve të fundit, për shkak se vendi është bërë më i pasur dhe pagat kanë nisur të ngrihen. Rreziqet e kësaj mund të rriten edhe më shumë pas masave ndëshkuese të presidentit Trump me tarifa për importet nga Kina më 2018 e 2019, duke i shtyrë bizneset të mendojnë për alternativa më të kushtueshme.