Kurti: Malishevën do ta ndihmojmë më shumë dhe do të ketë masa më rigoroze

Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në Malishevë tha se ndihma më e madhe duhet të përqendrohet në këtë komunë pasi është goditur më së shumti nga koronavirusi.

“Komuna e Malishevës i ka diku 3% të popullsisë së shtetit tonë, mirëpo mbi 30% të të infektuarve. I shpreha kryetarit ngushëllime për humbjen e qytetarit të Malishevës mbrëmë. Është lajm i pikëllushëm për të gjithë neve. Urojmë që të tjerët të shërohen sa më parë dhe po punojmë në këtë drejtim, por edhe kufizimet janë të mëdha”.

“Në njërën anë e kemi MSH-na në një gjendje jo të mirë dhe në tjetrën anë është popullsia e varfër. Si institucione qendrore dhe komunale të bashkëpunojmë maksimalisht në mënyrë që sa më pak përhapjen e virusit”.

Reklama e sponzorizuar

“Do të na duhet t’i shtojmë masat e kufizimit dhe për këtë gjë kryetari Begaj dhe Vitia do të jenë në kontakt që të mos kemi edhe më shumë të infektuar”.

Kurti u bërë thirrje të gjithë qytetarëve, posaçërisht të Malishevës, që të kufizojnë lëvizjen e tyre.

“Tash kemi nevojë që Malishevën që është goditur më shumë ta ndihmojmë por edhe t’i kemi masat më rigoroze të karantinimit. Të dalim sa më pak pasoja nga kjo krize shëndetësore. Nëse investojmë dhe angazhohemi maksimalisht”.

Ndërkaq, kryetari Ragib Begaj tha se komuna e tij duhet ndihmuar më shumë nga niveli qendror për të tejkaluar këtë të keqe.

“Jemi në momentet më të vështira të kësaj situate, por besoj se bashkëpunimi jonë do të rritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Administrimit dhe Pushtetit Lokal. Dhe po ashtu besoj që Qeveria ta ketë një përkujdesje më të madhe të Malishevës për shkak të rrethanave. Pres një përkrahje më të fuqishme”.

“Qendra e Mjekësisë Familjare është e pajisur duke e falënderuar Ministrinë e Shëndetësisë. Gjendja te ne është më alarmante dhe për këtë besoj se do të kemi edhe këta interes shtesë për Malishevën. Edhe niveli i Qeverisë edhe ai i Kuvendit nëse marrin më shumë masa për këtë komunë do t’iu jem falënderues”.

“Do të punojmë së bashku për ta tejkaluar këtë të keqe që i ka ndodhur jo vetëm Malishevës, por krejt Kosovës”.

Ai tha se të ndjerën e kanë varrosur mbrëmë dhe shprehi ngushëllimet për familjen e saj.