Kurti mbron shkarkimet dhe emërimet e bordeve: “Do të ndihmojnë në çkapjen e plotë”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbrojtur vendimet për emërime e shkarkime të bordeve të ndërmarrjeve publike.

Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se bordet e reja të Ujësjellësit “Prishtina”, “Postës së Kosovës” dhe “Hekurudhave të Kosovës – Infrakos” janë profesionale dhe se do të ndihmojnë, siç ka thënë Kurti, “në çkapjen e plotë dhe luftimin e krimit e korrupsionit”. Ka shtuar se bëhet fjalë për borde të përkohshme.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë ditës shoqëria civile dhe partitë politike kanë reaguar, duke thënë se Kurti ka emëruar anëtarë të partisë së tij në borde, raporton KOHA.

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjikë (MEPTINIS), Rozeta Hajdari, ka pranuar se dy nga të emëruarit në këto borde, Mentor Hyseni (KRU Prishtina) dhe Artan Dërmaku (Infrakos) janë pjesë e Vetëvendosjes, por sipas saj, ata janë profesionistë dhe nuk kanë ndonjë pozitë në parti.

Kurti në postimin e tij të sotëm i ka bërë nëj përmbledhje më të gjerë të veprimeve të Qeverisë gjatë këtyre javëve.

“Mbrëmë ishte mbledhja korresponduese, e 21-ta me radhë, e Qeverisë së Kosovës. Nëntë pikat e kësaj mbledhje u votuan, pra u miratuan. Shkarkuam borde e emëruam të rinj. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A., “Posta e Kosovës” Sh.A. dhe “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A., tash kanë borde të reja e profesionale. Këto borde janë të përkohshme të cilat do të merren me çkapjen e plotë nga shpërdorimi dhe luftimin e krimit e korrupsionit brenda tyre”, ka shkruar Kurti.