Veprimtari shqiptar në Amerikë, Uk Lushi, i ka vlerësuar si të pamjaftueshme pakot emergjente të propozuara nga Qeveria në detyrë e Kosovës dhe nga Partia Demokratike.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se për ekonominë në Kosovë, duhen së paku 500 milionë euro.
“Bazuar në veprimet e qeverive të shteteve me ekonomistët më të mençur në botë injektimi monetar dhe mbështetja financiare për ekonomitë e goditura nga Coronavirusi dhe Covid-19 (deri më tash) ka qenë rreth 10% e GDP-së. Kjo për Republikën e Kosovës konvertohet në paketa financiare dhe fiskale rreth 700-800 milionë euro”, shkruan Lushi në Facebook, transmeton Koha.
Ai thotë se “Paketa e qeverisë Kurti nuk ofron as mbijetesë të ekonomisë së Kosovës për 12-18 muajt e ardhshëm. As paketa që ka propozuar PDK prej 320 milionë eurove nuk e siguron shpëtimin e ekonomisë së Kosovës”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se Pakoja Emergjente e Qeverisë në detyrë është paraparë të jetë 170.6 milionë euro, ndërsa ajo e propozuar nga partia opozitare PDK kap shifrën 320 milionë.
Lushi thotë se për ta mbijetuar kolapsin, ekonomisë së Kosovës i duhen së paku 500mln vetëm për vitin 2020.
“Ekonomisë së Kosovës i nevojiten paketa prej sëpakut 500 milionë eurosh vetëm në vitin 2020 për të qenë në gjendje të mbijetojë kolapsin dhe fillojë forcimin duke çuar rritjen ekonomike në 6-7%, mbase pas 18 muajsh. 60-70% ose 300-350 milionë euro të këtyre paketave duhet të koordinohen të rrjedhin nga BQK, fondet qeveritare dhe emitimi i borxhit kurse 40-30% tjetër duhet të kërkohen nga Banka Qendrore Europiane dhe shtetet e BE-së, SHBA, Japonia dhe vende të tjera që do ta ndihmojnë Kosovën me kredi të lehta dhe/ose grante”, shkruan Lushi.
“Ftoj të gjithë ekonomistët dhe ekspertët në Kosovë të kërkojnë me ngulm nga shteti që sa më parë të fillojë stimulimin me 500 milionë eurot emergjente. Mosveprimi tash do t’i kushtojë Kosovës në muajt që do të vijnë shumë shtrenjtë nëse nuk ka veprime nga qeveria dhe shteti tash”, përfundon Lushi.