Mbi 300 mijë euro nga diaspora për të luftuar pandeminë

Shtetasit e Kosovës që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit i janë përgjigjur thirrjes së kryeministrit në detyrë që ta ndihmojnë Kosovën financiarisht, në kohën kur vendi po përballet me pandeminë e koronavirusit.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu në një postim në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se vlera monetare nga diaspora ka kaluar mbi 300 mijë euro.

Reklama e sponzorizuar

“Diaspora po vazhdon t’i përgjigjet thirrjes për mbështetje financiare. Deri më tani, ndihma e tyre ka kaluar vlerën monetare prej 300.000 euro. Diasporës i garantojmë transparencë dhe llogaridhënie në shfrytëzimin e mjeteve të dhuruara, dhe u jemi falënderues gjithmonë dhe gjithnjë”, ka shkruar Kryeziu.

Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë mbi 850 mijë banorë.

Ekonomia e Kosovës vazhdon të ketë një varshmëri të madhe nga remitencat apo dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës.

Në vitin 2019, vlera e remitencave ishte mbi 800 milionë euro.

Këto mjete përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.