Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Ilir Shala ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozin me të cilin diskutuan për marrëveshjen e re në mes te KOSTT-it dhe ENTSO-E.
Shala tha se në javën në vijim pritet edhe nënshkrimi i kësaj marrëveshje që mundëson pavarësinë energjetike të KOSTT-it dhe Kosovës.
“E njoftuam për procesin e arritjes dhe votimit të marrëveshjes së kyçjes KOSTT-ENTSO-E, dhe në javën në vijim po ashtu edhe në javët në vijim për procesin e nënshkrimit ku definitivisht do të bëhet pavarësimi energjetik i KOSTT-it dhe i Kosovës. Kjo marrëveshje e kyçjes e KOSTT-ENTSO-E i ka paraprirë edhe marrëveshja e krijimit të bllokut që është në shkruar në Tiranë më 26 nëntor 2019 me ç’rast është paraparë që të funksionojmë si zonë rregulluese brenda bllokut Kosovë-Shqipëri”, tha ai, përcjell kp.
Kurse ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se kjo marrëveshje hap një epokë të re bashkëpunimi në sektorin energjetik në mes dy shteteve.
“Është një ditë e gëzueshme për gjithë sistemin energjetik të Kosovës. Unë mendoj që hapet një epokë e re jo vetëm për Kosovën por edhe për një bashkëpunim shumë efektiv midis sistemeve tona energjetike për të hartuar projekte tona të përbashkëta për të pasur një vizion të përbashkët që në të ardhmen të hartojmë ato politika zhvillimore që do t’i japin një zhvillim të madh zhvillimit të ekonomisë në përgjithësi por edhe një thellimin të mëtejmë të një bashkëpunimi të sektorëve energjetik të Shqipërisë dhe Kosovës”, tha ai.
Grupi Regjional i Evropës Kontinentale ka miratuar marrëveshjen e re të KOSTT dhe ENTSO-E. Ajo ka shtuar se me këtë Kosova dhe KOSTT-i e fitojnë pavarësinë energjetike, ku me arritjen e kësaj marrëveshje KOSTT dhe Republika e Kosovës fitojnë pavarësinë energjetike.