Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se sot do të bisedojnë me kandidatin për kryeministër Avdullah Hotin lidhur me punën që është bërë deri më tani për të finalizuar koalicionet, raporton Televizioni T7.
Në këtë takim, Mustafa do të njoftohet se deri ku kanë arritur negociatat me partitë tjera për koalicion.
“Jemi duke biseduar, unë nuk kam qenë i kyçur drejtpërdrejtë por ka qenë kandidati për kryeministër Avdullah Hoti. Ai është sot këtu dhe me të do të bisedojmë se deri ku kemi mbërrirë, mirëpo negociatat i bënë ekipi në krye me zoti Hotin”, tha ai.
Mustafa ka thënë se numrat i ka koalicioni ndërmjet LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe.
Momentalisht, kreu i LDK’së, do të zhvillojë në Kuvend të Kosovës një takim me liderin e Nismës, Fatmir Limajn.