Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se gjatë mbledhjes së Kryesisë kishte një koordinim mes PDK-së dhe LDK-së që të mos shqyrtohen asnjë nga propozimet e Qeverisë së Kosovës.
Ajo ka thënë se në mbledhje u diskutua vetëm për pikat që i kishte propozuar Partia Demokratike dhe mbështetjen e kishte nga partitë opozitare, raporton KOHA.
Krasniqi: Vendimet që prekin financat duhet të kalojnë përmes Kuvendit
Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se të gjitha vendimet që prekin financat e vendit duhet të kalojnë përmes Kuvendit.
Ai ka thënë se kanë kërkuar që të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit për menaxhimin e financave publike.
“Ne si Parti Demokratike mendojmë që të gjitha vendimet edhe ato që prekin financat e vendit duhet të kalojnë përmes Kuvendit, ne kemi kërkuar që të bëhet edhe plotësim ndryshimi i ligjit për menaxhimin e financave publike dhe kemi angazhuar komisionin për legjislacion të gjejë se ligjërisht çfarë masash mund të merren sa i përket kufizimit të lëvizjes” ka thënë Krasniqi, raporton KOHA.
Ai tutje ka shtuar se Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që të martën në orën 11:00 të mbahet seancë e jashtëzakonshme për pakon emergjente.
I pyetur për propozimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për delegacionin për dialogun Kosovë-Serbi, Krasnqi e cilësoi atë si joserioz.