Osmani i drejtohet KGJK-së dhe Apelit, kërkon të dhëna për rastin e Arifit

Gjykata e Apelit, Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar të enjten Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatës së Apelit, për të kërkuar më shumë informata për rastin e deputetit të dënuar, Etem Arifit.

“Janë kërkuar Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit dhe dokumente të tjera relevante për këtë rast”, ka thënë për KOHËN Bekim Kupina, këshilltar për media i kryetares së Kuvendit, i pyetur rreth deputetit nga Partia e Ashkalinjve për Integrim, i cili është i dënuar me një vit e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione.

Dënimi ndaj tij është konfirmuar nga Gjykata Supreme në janar të këtij viti, duke u bërë i plotfuqishëm.

Reklama e sponzorizuar

Rastin e Arifit e kishte kthyer në vëmendje Erzen Vraniqi, këshilltari i kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

Vraniqi në një postim në Facebook të mërkurën ka thënë se Kuvendi i Kosovës tanimë ka 119 deputetë.

“Kuvendi i Kosovës i ka 119 deputetë. Deputeti Etem Arifi i dënuar me 1 vit e 3 muaj burg me vendim të plotfuqishëm, e ka humbur mandatin sipas nenit 70 të Kushtetutës së Kosovës. Ai nuk ka të drejtë vote”, ka shkruar Vraniqi.

Vota e Arifit ka qenë e llogaritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për formimin e qeverisë së re me AAK-në, Nisma, AKR-në dhe pakicat.

Vigan Qorrolli, mësimdhënës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ka thënë se nëse deputeti i Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, ka votuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti, edhe pse ishte i dënuar me aktgjykim të formës së prerë, vendimi i Kuvendit për shkarkim të qeverisë është i paligjshëm dhe duhet të anulohet.

“Sipas nenit 70.3 (6) të Kushtetutës, mandati i deputetit humb nëse ai/ajo dënohet me vendim të formës së prerë me një ose më shume vite burgim. Etem Arifi e ka humbur statusin e deputetit para dt. 25 mars, sepse Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është shpallur para kësaj date — prandaj Qeveria duhet ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për anulimin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Qeverisë Kurti — sepse në të ka marrë pjesë një ish-deputet sipas Kushtetutës! Vendimi i Kuvendit është antikushtetues! Zbulimi i këtij fakti e cenon rëndë demokracinë kushtetuese të Kosovës!” ka shkruar Qorrolli.