Prej kur nisi pandemia në Kosovë, lindën mbi 1 mijë foshnje

Në Kosovë prej periudhës së paraqitjes të pandemisë Covid-19 deri më 15 prill kanë lindur 1.159 foshnje, e asnjëra prej tyre nuk ka rezultuar pozitive me koronavirus.

Një prej tri grave shtatzëna pas testeve të bëra ka dalë negative, kurse dy të tjerat janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismajli.

Reklama e sponzorizuar

“Këtu në Klinikën kemi tri paciente, njëra prej tyre e kemi cekur se ka qëndruar në shtëpi. Dje testi i fundit i ka rezultuar negativ, pak më herët ishte në vizitë tek ne gjendja e përgjithshme e pacientes ishte e mirë dhe e bebes po ashtu. E kemi edhe një paciente në Kliniken Infektive, ajo është në javën e 35 të shtatzënisë, dy lindjet e para i ka me prerje cezariane. Presim që edhe ajo të testohet. Gjendja e përgjithshme është e mirë. Kemi një paciente tjetër e cila është në javën e 25 edhe ajo është mirë”, tha ai.

Ismajli thotë se pas dy jave kur përfundojnë lindjen e grave shtatzëna do të dihet për foshnjat e tyre a janë me Covid-19 apo jo.

“Nuk kemi foshnje me raste të konfirmuara. Presim që pas 2 jave të përfundojnë lindjen këto dyja që janë. E më pas shohim me analiza si shkon puna”, thotë ai.

Drejtori i Gjinekologjisë për KosovaPress jep edhe shifrat e lindjeve në këtë periudhë pandemie.

“Në muajin mars kemi pasur 709 lindje, ndërsa për muajin prill, nesër t’i marrë rezultatet për raportin final. Por deri më 15 prill i kemi pasur 450 lindje”, u shpreh ai.

Ismajli po ashtu thotë se dy nga stafi i Gjinekologjisë kanë rezultuar negativ me Covid 19.

“Në Klinikën Gjinekologjike kemi pasur tre personel shëndetësor të atakuar me Covid 19. Kanë qenë të izoluar, me analizat e fundit dy prej tyre kanë rezultuar negativ, janë shëruar plotësisht. Presim testimin e personelit të tret, besoj se edhe ai do të del negativ”, thotë ai.