Në një komunikatë të lëshuar të martën, IKSHPK-ja ka njoftuar edhe për pesë raste të reja me koronavirus.
Testet janë realizuar sot dhe kanë rezultuar pozitive, e njëri prej tyre tashmë ka vdekur.
Të pesë pacientët ishin pranuar dje në Klinikë.
“Sot më 07.04.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 13 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, pesë prej tyre kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive kanë kërkuar ndihmë në Klinikën emergjente, një prej të cilëve ka ardhur në gjendje të rëndë shëndetësore e që pas testimit post-mortem ka rezultuar pozitiv”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
I vdekuri është nga fshati Sazli i Ferizajt, ndërkohë katër të infektuarit janë nga Malisheva, Mitrovica, Gjilani dhe Gjakova.
Të prekurit nga Gjilanit po i kërkohen kontaktet, ndërkohë ai nga Gjakova është laborant.
Me këtë është rritur në 170 numri i të prekurve në Kosovë nga Covid-19, ndërkohë i të vdekurve në 4.