Rënia e çmimit të naftës- 50 miliardë dollarë më pak të hyra për Rusinë

Sipas të përditshmes ruse “Kommersant”, viti 2020 pritet të jetë vit i vështirë për ekonominë ruse, e cila është shumë e varur nga eksporti i naftës dhe gazit, të cilat së bashku marrin pjesë me mbi 60% të të gjithë eksportit rus.

Industria ruse e naftës pritet të ketë rreth 18 miliardë dollarë të hyra më pak sesa parashikimet paraprake për vitin 2020. Pos humbjeve që pritet t’i ketë industria ruse e naftës, humbjet për buxhetin e Rusisë, bazuar edhe në tarifën për eksploatimin e naftës, pritet të jenë rreth tri herë më të mëdha dhe pritet të shkojnë deri në 50 miliardë dollarë.
Kjo analizë është bërë duke u bazuar në çmimet e naftës të tremujorit të parë, çmime të cilat në tremujorin e dytë pritet të jenë edhe më të ulëta. Nëse vazhdon trendi i rënies së çmimeve të naftës, eksploatimi i naftës ruse, e njohur si Ural, pritet të jetë ekonomikisht i padobishëm, pasi që fitimi neto duke i përjashtuar kostot operative, pritet të jetë minus 3 dollarë për fuçi. Dhe, nëse do të vazhdojë kështu, rafineritë ruse do të punojnë me humbje, çka do të qojë në ndërprerjen e prodhimit.
Kriza për industrinë ruse të naftës pritet të jetë edhe më e madhe, ku pos humbjeve nga eksporti pritet të ketë humbje edhe në tregun e brendshëm, si pasojë e rënies së madhe të kërkesës për karburante që ka ardhur nga pandemia COVID-19. Kjo do të thellojë humbjet e industrisë Së naftës dhe do të ndikojë edhe në zvogëlimin e mëtejmë të të hyravet për buxhetin e Federatës së Rusisë.