Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ka pranuar se e ka ditur që anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje po bëhen pjesë e bordeve të përkohshme të ndërmarrjeve publike.
Në Interaktiv ajo ka thënë se e ka ditur këtë fakt, por ka shtuar se kjo s’përbën shkelje ligjore duke u bazuar në nenet për bordet e përkohshme në kuadër të Ligjit për ndërmarrjet publike. Sipas saj, ky ligj lejon që bordet e përkohshme të jenë me anëtarë të partive, por jo ato borde të përhershme.
Duke mbrojtur përfshirjen e anëtarëve të VV-së në bordet e përkohshme të ndërmarrjeve publike, Hajdari ka thënë se çdo veprim ka qenë në harmoni me ligjin.
“Ligji për ndërmarrjet publike na shpjegon që kur sjellim borde të përkohshme, shumë nga nenet e këtij ligji, kur duhet t’i kemi për shembull 6-7 anëtarë, me të përkohshëm na lejohen katër anëtarë. Do t’i depolitizojmë bordet. Po tregoj që qeverisë i duhet diskrecion që të marrë vendim sa më shpejtë për bord të përkohshëm. S’jam pjesë aktive e Vetëvendosjes, por jam pjesë aktive e zgjedhjes së kandidatëve. E kam ditur që janë të VV-së. E kam njohur profesionistin Mentor Hysen, Artan Dermaku që janë vërtetë nivel profesional. Sidomos Hyseni është ekspert për ujërat dhe është në kryesim të bordit e na ka ndihmuar të bëjmë këto gjetje. Është duke u keqkuptuar Ligji për ndërmarrjet publike në rastin e emërimit të bordit të përkohshëm. Jemi në harmoni me ligjin. Është përgjegjësi e imja. Janë të gjithë kandidatë të intervistuar nga unë. Ligji ma lejon që edhe nëse është anëtar i partisë më lejohet të vendosi për bord të përkohshëm. S’kam besuar se do të ketë aq shumë reagime duke e ditur ligjin”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se nga 20 ndërmarrjet publike, 17 janë në gjendje të keqe “me keqpërdorime, punësime familjare, nepotizëm, keqpërdorime të parasë publike e keqmenaxhim të funksioneve”.
“Bordet që i kemi shkarkuar, janë shkarkuar bazuar në të gjeturat. S’kam shkuar që të depolitizoj vetëm hajt që të bëj ashtu, por nëse gjej ndërmarrje me bord që ka besimin e Qeverisë për të kryer detyrat fiduciare, por s’i ka kryer dhe ka sjellë humbje, duke bërë ndërmarrje me 50 për qind humbje apo keqpërdorim të parasë, s’mund të rrimë duarkryq. Gjetjet po dorëzohen në raportet e auditimit të brendshme. Ka pasur keqpërdorime. Ka pasur gjetjet nga KRU Prishtina, Posta, e të tjera që s’kam pasur kohë t’i publikoj të gjitha, por do t’i evidentojmë e të gjitha po planifikoj që t’i publikojmë sepse populli duhet të dijë situatën që kemi trashëguar”, ka shtuar ajo.