Pavarësisht borës së rënë, të gjitha rrugët regjionale, nacionale dhe autoudhët në Kosovë janë të kalueshme.
Kështu ka konfirmuar për KosovaPress Gëzim Osmani, menaxher për mirëmbajtje dimërore të rrugëve pranë ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.
Përmes telefonit Osmani ka thënë se të gjitha kompanitë kontraktuese janë në terren dhe nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim
Sipas tij, edhe pse nëpër viset malore ka më shumë borë, edhe në ato zona është intervenuar, edhe në ato zona rrugët janë të hapura.
“Gjendja e rrugëve në tërë Republikën e Kosovës është e mirë, sipas raporteve edhe nga terreni nga menaxherët rajonalë dhe menaxherët e autostradave dhe autoudhëve. Rrugët janë të kalueshme pa ndonjë problem të veçantë për t’u theksuar…Sipas informatave në terren nuk ka ndonjë pengesë në viset malore ka më shumë borë, por edhe atje kompanitë kanë intervenuar, dhe atje rrugët janë të hapura të gjitha”, tha Osmani.
Krahas reshjeve të borës në vend po mbretëron mot i ftohtë. Temperatura do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1, kurse maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 1 deri në 2 gradë.