Numri i rasteve me koronavirus vetëm në shtetin e New Yorkut i është afruar të enjten 150-mijëshit, duke e tejkaluar Spanjën për më së shumti infektime në botë, por edhe me numrin e të vdekurve, ndonëse autoritetet kanë paralajmëruar se shifra zyrtare e vdekjeve në vend mund të mos e pasqyrojë gjendjen reale.
New Yorku dhe New Jersey-i fqinj raportuan sërish të mërkurën numrin më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi brenda një dite. Në shtetin e New Yorkut numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara ka arritur në 149.316, më shumë sesa në Spanjë, ku janë 146.690 raste, kanë treguar të dhënat e agjencisë Reuters. Ndërkohë numri i të vdekurve në New York ka arritur në 6.268.
Në total, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar 14.700 vdekje, deri të enjten, raporton Reuters, transmeton KOHA.
Zyrtarët në New York kanë bërë të ditur se ngritja e fundit e numrit të personave të vdekur në shtëpitë e tyre sugjeron se qyteti me numrin më të madh të banorëve në SHBA nuk po e paraqet shifrën e plotë të viktimave nga COVID-19, sëmundje kjo respiratore e shkaktuar nga koronavirusi i ri.
“Mendoj se kjo është një mundësi shumë reale”, ka thënë kryebashkiaku i New Yorkut, Andrew Cuomo, gjatë konferencës së rregullt ditore.
Me gjithë pasqyrën e zymtë, Cuomo ka thënë se trendi i përgjithshëm ende duket pozitiv, meqë shkalla e hospitalizimeve ka shënuar rënie në shtetin që është epiqendër e epidemisë në SHBA.
Instituti i Universitetit të Washingtonit për Matje dhe Vlerësime Shëndetësore e ka ulur projektimin për shifrën e vdekjeve në SHBA për 26 për qind, nga 80.000 në 60.000 deri më 4 gusht.
Task-forca e Shtëpisë së Bardhë për luftimin e pandemisë kishte parashikuar më herët se rreth 100.000 deri në 200.000 amerikanë mund të vdesin nga COVID-19.
Si rezultat i gjendjes në SHBA, presidenti Donald Trump, ka bërë thirrje për vazhdimin e masave të mbrojtjes, si dhe zbatimin e distancimit social. Në kuadër të këtyre masave, më shumë se 94 për qind e popullatës amerikane është urdhëruar që të qëndrojë mbyllur në shtëpi.