Rreth 50.8 milionë njerëz kanë qenë të detyruar të bëjnë shpërngulje të brendshme për shkak të konflikteve apo fatkeqësive, thuhet në një raport. Kjo shifër paraqet rekord të ri në këtë aspekt.
Në raportin e vet vjetor, Qendra për Vëzhgimin e Shpërnguljeve të Brendshme tha se pandemia Covid-19 mund ta shtojë rrezikun edhe më shumë për miliona njerëz që tashmë janë të rrezikuar nga shkaqe të tjera.
Në mesin e personave të shpërngulur, mbi 45 milionë prej tyre kanë qenë të detyruar t’i braktisin shtëpitë për shkak të dhunës, thekson raporti, ndërsa pesë milionë të tjerë e kanë bërë një gjë të tillë për shkak të fatkeqësive natyrore, siç ishin tërmetet apo vërshimet.
Për arritjen e shifrës rekorde të të shpërngulurve brenda shteteve kontribuoi shifra prej 33.5 milionë të zhvendosurve gjatë vitit 2019, që e paraqet numrin më të lartë që nga viti 2012, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Koronavirusi pritet t’ua bëjë jetën edhe më të vështirë personave që jetojnë në hapësira të ngushta dhe me kushte të dobëta sanitare. Në këto rrethana është i vështirë zbatimi i distancës sociale dhe standardeve të higjienës, të cilat kërkohen për t’u mbrojtur nga Covid-19.
Sidoqoftë, në raport thuhet se numri i madh i shpërnguljeve të brendshme është shenjë e dështimit kolektiv, edhe pa ekzistencën e pandemisë. Qendra që e publikoi raportin u bëri thirrje qeverive që t’i zgjidhin konfliktet, siç është lufta civile në Siri, ku një milionë njerëz kanë ikur nga shtëpitë vetëm nga dhjetori.