Bankat qendrore në botë kanë njoftuar një sërë politikash të jashtëzakonshme për të mbështetur ekonomitë e sëmura nga infektimi prej Covid-19.
Ato po përdorin të gjitha instrumentat që kanë në dispozicion për të injektuar likuiditet në tregje.
Edhe institucionet ndërkombëtare financiare janë angazhuar për paketa financimi, të adresuara për vendet në zhvillim.
FED ANGAZHOHET TË RIAKTIVIZOJË POLITIKËN MONETARE TË EMERGJENCËS “QUANTITATIVE EASING”?
Rezerva Federale në Shtetet e Bashkuara ka njoftuar se do të përdorë të gjithë gamën e saj për të mbështetur familjet, bizneset dhe ekonominë e Shteteve të Bashkuara në përgjithësi në këtë kohë sfiduese. Rezerva Federale, në një njoftim zyrtar këto ditë, referoi se po përdor gamën e saj të plotë të instrumenteve për të siguruar mbështetje të fuqishme me kredi për familjet dhe bizneset amerikane.
Komiteti Federal i Tregut të Hapur (FOMC) njoftoi se do të blejë letra me vlerë të Thesarit dhe letra me vlerë të mbështetura nga hipotekat në shumat e nevojshme, për të mbështetur funksionimin e qetë të tregut dhe transmetimin efektiv të politikës monetare në kushte më të gjera financiare dhe ekonomi.
FOMC kishte njoftuar më parë se do të blinte të paktën 500 miliardë dollarë letra me vlerë të Thesarit dhe të paktën 200 miliardë dollarë të letra me vlerë të mbështetura në hipotekë. Për më tepër, FOMC do të përfshijë blerjet e letrave me vlerë të mbështetura nga hipotekat tregtare. Nëpërmjet kësaj politike, FED synon të sigurojë deri në 300 miliardë dollarë hua për të mbështetur punëdhënësit e mëdhenj.
Një paketë e posaçme do të jetë për të mbështetur kredinë konsumatore, si dhe do të mundësojë lëshimin e letrave me vlerë; për të mbështetur kreditë studentore, kreditë për makinat, kredi për kartat e kreditit, etj.
Rezerva Federale së shpejti do të detajojë planin për krijimin e një Programi të Huadhënies së Biznesit për të mbështetur kreditimin e bizneseve të vogla dhe të mesme të pranueshme.
Kjo paketë do t’u mundësojë bizneseve të vogla të mbajnë aktivitetin në kapacitetin e tyre gjatë periudhës së pandeminë. Huamarrësit mund të zgjedhin të shtyjnë interesin dhe pagesat e principalit në gjashtë muajt e parë të kredisë, në mënyrë që të kenë para rezervë që mund të përdoren për të paguar punonjësit dhe furnitorët.
Paketa e ndihmës do të blejë në letrat me vlerë të korporatave në tregun sekondar.
BQE AKTIVIZON POLITIKËN E JASHTËZAKONSHME MONETARE, PAKETA 750 MLD EURO
Në dallim nga kriza e vitit 2008-‘09, tronditja me të cilën po përballet globi nga pandemia Covid është universale, vlerëson Banka Qendrore Europiane. Në thelb, për një periudhë të përkohshme, një pjesë e madhe e ekonomisë po fiket, e për pasojë aktiviteti ekonomik në të gjithë Eurozonën do të bjerë ndjeshëm. Politikat publike nuk mund ta parandalojnë këtë, por ato mund të ndihmojnë që rënia të mos jetë shumë e fortë dhe të frenohet.
Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Europiane njoftoi më herët se aktivizoi një program prej 750 miliardë eurosh për emergjencën pandemike, përveç 120 miliardë eurove që u miratuan më 12 mars. Kjo ndihmë arrin në 7.3% të PBB-së së Eurozonës. Programi është i përkohshëm dhe i krijuar për situatën e pashembullt me të cilën po përballet bashkimi monetar.
Instrumenti i ri ka tre avantazhe kryesore, sqaron BQE.
Së pari, i përshtatet llojit të tronditjes me të cilën po përballemi: ekzogjene, e shkëputur nga bazat ekonomike dhe prek të gjitha vendet në Eurozonë.
Së dyti, na lejon të ndërhyjmë në të gjithë kurbën e rendimentit, duke parandaluar copëzimin financiar dhe shtrembërimet në çmimin e kredisë.
Së treti, është përshtatur për të menaxhuar përparimin e fortë të virusit dhe pasigurinë se kur dhe ku pasojat do të jenë më të këqija.
Plani i BQE është i bazuar në lehtësimin sasior jo të zakonshëm, duke blerë borxhet tregtare.
BQE ka vënë gjithashtu në dispozicion 3 trilionë euro likuiditet në operacionet e rifinancimit, duke përfshirë edhe normën më të ulët të interesit që është ofruar ndonjëherë, -0.75%.
BB, 14 MLD USD PËR VENDET NË ZHVILLIM
Banka Botërore dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare miratuan më datë 17 mars një paketë 14 miliardë dollarësh për financimin e shpejtë në ndihmë të kompanive dhe vendeve në përpjekjet e tyre për të parandaluar, për të zbuluar dhe për të reaguar ndaj përhapjes së shpejtë të COVID-19.
Sipas deklaratës zyrtare të Bankës Botërore, paketa do të forcojë sistemet kombëtare për gatishmërinë e shëndetit publik, duke përfshirë kontrollin e sëmundjeve, diagnozën dhe trajtimin, dhe mbështetjen e sektorit privat.
IFC, pjesë e Bankës Botërore, do të rrisë financimin e saj lidhur me COVID-19 në 8 miliardë dollarë, si pjesë e paketës 14 miliardë dollarë, nga 6 miliardë lekë që ishin miratuar më datën 3 mars, për të mbështetur kompanitë private dhe punonjësit e tyre të dëmtuar nga rënia ekonomike e shkaktuar nga përhapja e COVID-19.
Pjesa më e madhe e financimit të IFC do të shkojë tek institucionet financiare të klientëve për t’u mundësuar atyre të vijojnë huatë dhe financim afatmesëm për kompanitë private që janë prekur nga ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit.
IFC gjithashtu do të ndihmojë klientët ekzistues në sektorët ekonomikë të prekur drejtpërdrejt nga pandemia, si turizmi dhe prodhimi, të vazhdojnë të paguajnë faturat e tyre. Paketa do të financojë gjithashtu sektorët e përfshirë në përgjigjen ndaj pandemisë, përfshirë kujdesin shëndetësor dhe industritë përkatëse, të cilat përballen me rritjen e kërkesës për shërbime, pajisje mjekësore dhe farmaceutikë.
“Është thelbësore që të shkurtojmë kohën për rikuperimin. Kjo paketë ofron mbështetje urgjente për bizneset dhe punonjësit e tyre për të zvogëluar ndikimin financiar dhe ekonomik të përhapjes së COVID-19” – tha David Malpass, presidenti i Grupit të Bankës Botërore. Grupi i Bankës Botërore është i përkushtuar për një reagim të shpejtë, fleksibël, bazuar në nevojat e vendeve në zhvillim. Banka Botërore pohon se ka aftësi për t’i kryer këto operacione në ndihmë të ekonomisë nisur nga përvojat e krizës ekonomike të vitit 2008 dhe epidemisë nga virusi Ebola.
Paketa e IFC do të ndahet në këtë mënyrë
Rreth 2 miliardë dollarë do të jepen për mbështetje në sektorin real të ekonomisë, i cili do të mbështesë klientët ekzistues në industritë e infrastrukturës, prodhimit, bujqësisë dhe shërbimeve të prekshme nga pandemia. IFC do të ofrojë kredi për kompanitë në nevojë, dhe nëse është e nevojshme, të bëjë investime në kapital. Ky instrument do të ndihmojë kompanitë në sektorin e kujdesit shëndetësor që po shohin rritje të kërkesës.
IFC referon se 2 miliardë dollarë të tjera nga programi ekzistues i Financave të Tregtisë Globale do të mbulojë rreziqet e pagesës për kompanitë që importojnë dhe eksportojnë mallra. IFC programon që ky fond të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të përfshira në zinxhirët e furnizimit global. 2 miliardë dollarë të tjera do të jepen nga programi i “Solutions Working Capital”, që do të sigurojë fonde për bankat e tregut në zhvillim. Këto fonde do të përdoren si hua për të ndihmuar bizneset, për të paguar faturat e tyre dhe pagat e punonjësve.
Më tej, 2 miliardë dollarë që janë pjesë e Programit Global të Likuiditetit të Tregtisë, dhe Programi i Financimit të Mallrave Kritikë, të dyja ofrojnë mbështetje për ndarjen e rreziqeve për bankat lokale, në mënyrë që të mund të vazhdojnë të financojnë kompanitë në tregjet në zhvillim.
FMN, 50 mld USD për vendet anëtare
FMN, më herët në muajin mars, ka deklaruar se do të ofrojë deri në 50 miliardë dollarë në financim ndaj vendeve në zhvillim që janë të goditura nga shpërthimi i koronavirusit. Nga kjo shumë, rreth 10 miliardë dollarë do të jenë hua me interes zero për vendet më të varfra.
FMN projekton se në çdo skenar se rritja globale në vitin 2020 do të bjerë nën nivelin e vitit të kaluar. Sa do të jetë frenimi dhe për sa kohë mund të zgjasë ende nuk ka parashikime, pasi kjo do të varet nga epidemia, por edhe nga afati dhe efektiviteti i veprimeve të bankave qendrore, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe qeverive.
FMN thotë se sfidat më të mëdha janë në vendet me sisteme të dobëta shëndetësore dhe ndaj kërkohet aktivizimi i një mekanizimi global për të përshpejtuar rimëkëmbjen e kërkesës dhe ofertës. FMN referon se prioritet numër një është sigurimi i shpenzimeve në linjat e shëndetit publik, në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit.
Së dyti, veprimet e politikës makrofinanciare duhet të përfshihen në veprim për të frenuar tronditjet e ofertës dhe kërkesës. Fondi bën thirrje se duhen bërë veprime të shpejta që shkurtojnë dhe zbusin ndikimin ekonomik. Këto masa duhet të synojnë sektorët, bizneset dhe familjet më të goditura.
Së treti, likuiditeti do të jetë i nevojshëm gjithashtu për të kompensuar rreziqet e stabilitetit financiar.
FMN referon se situata po evoluon me shpejtësi dhe se institucionet financiare duhet të sigurojnë një përgjigje të plotë për të koordinuar situatën.
Fondi pohon se ndihma e tij në paketën 50 miliardë dollarë do të shkojë kryesisht për anëtarët në rrezik, duke përfshirë ato me sisteme të dobëta shëndetësore dhe eksportuesit e mallrave të ekspozuar ndaj tronditjeve të tregtisë dhe të tjerë që janë veçanërisht të prekshëm. FMN referon se po punon për identifikimin e vendeve të cenueshme dhe vlerësimin e nevojave të mundshme të financimit, nëse situata përkeqësohet më tej.