Gjatë ditës së sotme, Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, bashkë me Drejtorin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, kanë mbajtur një takim me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ku përfundimisht është sqaruar se bankat komerciale që veprojnë në vend nuk mund të aplikojnë interes shtesë për periudhën e shtyrjes së kredisë gjatë kohës së pandemisë.
Përmes një postimi në Facebook, Rukiqi thotë po ashtu se interesi i rregullt duhet të përllogaritet, por i njëjti duhet të paguhet, i shpërndarë në një periudhë 12 mujore, prej momentit të rifillimit të pagesës së kredisë, raporton KOHA.
“Në asnjë rast, vonesa për shkak të krizës, nuk do të ndikojë në prishjen e rejtingut, të asnjë klienti”, ka theksuar Rukiqi.