Ministri në detyrë i Ambientit dhe Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se sot në orën 17:00 pritet të kthehen 120 qytetarë nga Turqia, shumica prej të cilëve ishin për shërim.
Ky është grupi i dytë i madh që kthehet në Kosovë, pas atij prej 106 qytetarësh që dje u kthyen nga Zvicra dhe u vendosën në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
“Siç e dini, nga fillimi i pandemisë, kur janë marrë masat e para më 17 mars, ne si ministri, bashkë edhe me të tjerat, jemi autorizuar për kthimin e qytetarëve tonë nga jashtë vendit. Si koordinator i kësaj nisme, ne kemi ndërtuar një model që ka marrë për bazë nevojat e qytetarëve por edhe sigurinë e shëndetit publik në Kosovë. Përmes ambasadave është bëtë identifikimi dhe janë 2.000 qytetarë që kanë shprehur interesim për kthim”, ka thënë Abdixhiku.
Edhe qytetarët që do të kthehen sot, do të vendosën në karantinë 14-ditore në Qendrën e Studentëve.
Sipas Abdixhikut, kthimi i qytetarëve varet në masë të madhe edhe nga hapësira që krijohet në këtë qendër.
“Ky fluturim është i veçantë, pasi për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore të Turqisë, është dashur që me aeroplanin që shtetasit turq u kthyen në vend nga Kosova e Shqipëria, të kthehen më pas qytetarët kosovarë”, ka thënë ai.
Për një muaj, ministri në detyrë tha se janë realizuar fluturime nga Gjermania, Zvicra, Anglia dhe Turqia, kurse përmes rrugës tokësore nga Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia dhe Shqipëria.
“Do t’i sjellim edhe 50 qytetarë nga Gjermania, 16 studentë nga Polonia dhe një punëtor nga Liberia. Numri varet nga vendet e lira në Qendrën e Karantinës. Unë kam kërkuar shtim të vendeve, por sipas MSH-së, ky numër duhet të jetë i kontrolluar, secili i kthyer i nënshtrohet testit dhe çdo testim është një test më pak për qytetarët. Kushdo që ka mundësi të qëndrojë jashtë, le ta bëjë këtë, të mos vijë në Kosovë në kohën e pikut”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka treguar se efekti i karantinës po jep rezultate. Në Qendrën Studentëve deri më tash janë vendosur 700 persona dhe vetëm tre prej tyre kanë rezultuar pozitivë në COVID-19.
“E mira është se asnjë kontakt i tyre nuk është infektuar, që tregon se karantinimi ka dhënë rezultate. Jemi duke punuar edhe për kthimin e 100 qytetarëve nga SHBA-ja. Ky është fluturim i veçantë, pasi kërkon ndalesa në aeroporte evropiane”, ka thënë ai.