Gjatë 24 orëve të kaluara, në Suedi janë regjistruar 170 të vdekur nga koronavirusi, duke e çuar në 1,203 numrin e përgjithshëm të viktimave.
Shifra e të vdekurve tashmë është shumë më e madhe se në vendet fqinje. Shkencëtarët po vazhdojnë ta vënë në pikëpyetje qasjen e qeverisë ndaj pandemisë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Në Suedi janë shënuar 101 viktima të virusit për 1 milion banorë, ndërsa në Danimarkë 51 viktima për 1 milion banorë dhe në Finlandë vetëm 11 të vdekur për 1 milion banorë.
Një grup prej 22 mjekëve, virologëve dhe hulumtuesve të martën e kritikuan Agjencinë e Shëndëtësisë për numrin e madh të viktimave në krahasim me vendet e tjera dhe për qasjen ndaj virusit.
“Në Suedi po vdesin 10 herë më shumë njerëz se në Finlandë. Qasja duhet të ndryshojë shpejt dhe në mënyrë radikale. Në kohën kur po përhapet virusi, është e nevojshme të rritet distanca sociale”, thanë ata.
Suedia ka qenë në qendër të medieve botërore për shkak të mungesës së masave të kufizimit të lëvizjes, të cilat janë marrë në pothuajse të gjitha shtetet e tjera evropiane.